Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i ka kërkuar Presidentit Amerikan Donald Trump të “ndalë kërcënimet” për marrjen nën kontroll të Groenlandës.
Mette Frederiksen tha se “nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin Groenlandën”, duke shtuar: “SHBA nuk ka asnjë të drejtë të aneksojë ndonjërin nga tre kombet e Mbretërisë Daneze.”
Deklaratat e saj vijnë pasi Katie Miller – bashkëshortja e një prej këshilltarëve të Trumpit, Stephen Miller – postoi në rrjetet sociale një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “SOON” (“së shpejti”).
Trump e ka ngritur vazhdimisht mundësinë që Groenlanda të bëhet pjesë e aneksuar e SHBA-së, duke përmendur pozicionin e saj strategjik dhe pasuritë minerare, dhe i përsëriti pretendimet edhe pas komenteve të Frederiksen.
Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë daneze, Frederiksen tha se po i drejtohej SHBA-së “shumë drejtpërdrejt”.
Ajo theksoi se Danimarka – “dhe rrjedhimisht Groenlanda” – është anëtare e NATO-s dhe mbulohet nga garancia e sigurisë së aleancës. Danimarka, sipas saj, ka tashmë një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në që i jep Uashingtonit akses në Groenlandë dhe ka rritur investimet në sigurinë e rajonit Arktik.
“Prandaj i bëj thirrje të fortë Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet ndaj një aleati historikisht të afërt dhe ndaj një vendi tjetër dhe një populli tjetër që e kanë thënë shumë qartë se nuk janë në shitje,” tha ajo.
Disa orë më vonë, në Air Force One, Trump e përsëriti qëndrimin. “Na duhet Groenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë,” u shpreh ai./abcnews.al


