Kryeministri malazez, lideri i vetëm evropian që nuk u vaksinua: Kam antitrupa

schedule17:12 - 11 Nëntor, 2021

schedule 17:12 - 11 Nëntor, 2021

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç tha sot se nuk do të vaksinohet kundër koronavirusit për shkak se ka një numër të mjaftueshëm të antitrupave. Krivokapiç është kështu i vetmi lider në Evropë që nuk e ka marrë vaksinën.

“Numri im i antitrupave po rritet dhe nuk e di nga ka ardhur ky fenomen. Në momentin që numri është nën 100 do të vaksinohem”, ka thënë Krivokapiç, duke theksuar se gjithmonë do t’i ndjekë këshillat e mjekut të tij.

Krivokapiç shpesh është kritikuar nga publiku malazez për shkeljen e masave epidemiologjike, veçanërisht në tubimet fetare të Kishës Ortodokse Serbe.

Portali Analitika i Podgoricës vuri në dukje se Mali i Zi tani është i vetmi vend në Evropë, qeveria e të cilit udhëhiqet nga një kryeministër i pavaksinuar.

Në Mal të Zi, numri i të sëmurëve dhe vdekjeve nga koronavirusi është rritur në dy javët e fundit dhe zyrtarët shëndetësorë po u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen. Epidemiologët malazezë kanë kërcënuar se nëse gjendja shëndetësore vazhdon të përkeqësohet, lejet për Covid së shpejti mund të jenë të detyrueshme për të gjithë punonjësit e administratës publike.

Mali i Zi deri më tani ka vaksinuar afër 55% të popullsisë së rritur. Që nga fillimi i pandemisë në atje kanë vdekur mbi dy mijë persona, ose mbi 0.3 për qind e popullsisë malazeze.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!