Kryeministri kanadez takohet me Trump mes kërcënimeve për rritjen e tarifave tregtare

schedule22:08 - 30 Nëntor, 2024

schedule 22:08 - 30 Nëntor, 2024

Zhvillova një “bisedë të shkëlqyer” me Donald Trump, në pronën e presidentit të sapozgjedhur në Florida, tha sot kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau – ndërsa vendet fqinje të SHBA-së përpiqen të zbutin ndikimin e kërcënimeve tregtare të Trump.

Trudeau mbërriti dje në mbrëmje në resortin Mar-a-Lago në Florida, pasi Trump njoftoi, në fillim të kësaj jave, planet për tarifa importi kundër Kanadasë, Meksikës dhe Kinës rivale.

“Ishte një bisedë e shkëlqyer,” u tha Trudeau gazetarëve sot në mëngjes ndërsa po largohej nga një hotel në West Palm Beach, për të marrë fluturimin për në Kanada.

Trudeau ishte i ftuari i fundit i profilit të lartë të Trump, mandati i dytë i afërt i të cilit fillon në janar.

Një fotografi e publikuar nga senatori i zgjedhur i Pensilvanisë, David McCormick, tregoi Trump dhe Trudeau krah për krah në tryezë, të rrethuar nga dhjetëra të ftuar, duke përfshirë Howard Lutnick, i zgjedhuri i Donald Trump si sekretari i tregtisë dhe Mike Waltz, si këshilltari isigurisë kombëtare.

Në një postim në mediet sociale të hënën, Trump tha se do të vendoste një tarifë prej 25 për qind ndaj Meksikës dhe Kanadasë, duke akuzuar dy fqinjët amerikanë se kishin lejuar një “pushtim” të SHBA-së nga droga ilegale, përkatësisht fentanil dhe migrantë pa dokumente.