Kryeministri i Spanjës viziton Katalonjën pas protestës masive

schedule14:32 - 12 Nëntor, 2017

schedule 14:32 - 12 Nëntor, 2017

Gjatë vizitës së parë në Katalonjë pas shpalljes së pavarësisë, kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoi tha se zgjedhjet e parakohshme do t’i japin fund rrënimit separatist. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoi ka vizituar Katalonjën për herë të parë pas aplikimit të artikullit 155 të kushtetutës, me të cilin mori kontrollin e plotë mbi rajonin autonom dhe burgosi liderët separatistë. Në Barcelonë shefi i qeverisë së Madridit tha se zgjedhjet rajonale të maujit të ardhshëm në Katalonjë do t’i japin fund “rrënimit separatist”, në rajonin verilindor.
Gjithashtu Rahoi mbrojti vendimin për aplikimin e artikullit 155, duke thënë se ishin “shterur të gjitha rrugët”, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga qeveria katalanase muajin e kaluar. Disa liderë të këtij rajoni po mbahen në burg me urdhër të Gjykatës së Lartë pikërisht për këtë veprim të tyre në parlamentin e Barcelonës.

Duke folur në një event elektoral në kryeqendrën e Katalonjës për Partinë Popullore, Rahoi u bëri thirrje pjesëmarrësve të “shumicës së heshtur”, siç i cilësoi ai kundërshtarët e pavarësisë, për “ta kthyer zërin e tyre në një votim”. “Ne duhet të rikuperojmë Katalonjën nga rrënimi i separatizmit”, shton kryeministri spanjoll.

Ndërkohë, vizita e kreut të qeverisë së Madridit vjen pas protestës masive të zhvilluar në Barcelonë. 750 mijë persona morën pjesë në një manifestim në kryeqendrën e Katalonjës dhe kërkuan lirimin e të gjithë të burgosurve politikë. Kriza mes Barcelonës dhe Madridit filloi në tetor kur u mbajt referendumi për pavarësi në rajonin autonom. Rezultati i tij, tregoi se 90% e pjesëmarrësve kërkonin ndarjen nga Spanja. Por ky referendum u quajt antikushtetues dhe u ndalua me gjykatë. Në bazë të rezultatit, qeveria e Katalonjës shpalli pavarësinë. Por menjëherë Spanja aplikoi artikullin 155 duke marrë kontrollin e plotë dhe shpalli zgjedhje të parakohëshme me 21 dhjetor. Gjithashtu arrestoi disa liderë separatistë dhe lëshoi urdhër-arrestu europian për presidentin e shkarkuar të Katalonjës, Karles Puçdemon dhe 4 ish-ministra të tjerë që gjenden në Belgjikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!