Kryeministri Edi Rama inauguron ujësjellësin e Lezhës

schedule13:05 - 14 Janar, 2018

schedule 13:05 - 14 Janar, 2018

Kryeminsitri Edi Rama ka inaguruar ujësjellësin e ri të Lezhës i cili do të mundësojë furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për qytetin dhe fshatrat përreth. I mundësuar nga bashkëfinancimi shqiptaro-zvicerano-gjerman dhe ndihmë të BE-së, projekti pritet të zgjerohet në 7 bashki te tjera të jugut edhe pse kryeministri investimet i paralajmëron aty ku reforma e ujit do të ketë sukses.

Ujë 24 orë për Lezhën dhe fshatrat përreth saj. Është ky rezultati i investimit mbi 13 milionë eurosh në rehabilitimin e ujësjellësit. Gjatë inaugurimit të projektit të përbashkët të tre qeverive, shqiptare, zvicerane dhe gjermane, si tregojnë dhe pamjet e shpërndara nga zyra e medias pranë kryeministrisë, të pranishëm ishin respektivisht kryeministri Edi Rama, ambasadori zviceran Holstein dhe zv.ambasadorja gjermane.

Investimet për furnizimin me ujë të pijshëm do të mbështeten mbi performancën dhe ecurinë e reformës së ujit – tha Kryeministri Rama.

“Me shumë respekt për punën e kryer nga Ndërmarrja e re e Ujësjellësit, një nga shembujt pozitivë që kemi në territorin e Shqipërisë përsa i përket ndarjes së politikës nga logjika e shërbimit për konsumatorin, dua t’i siguroj të gjithë banorët e Lezhës, pa dallim, se ne do vazhdojmë këtë punë.

Por ndërkohë dua po ashtu që të rinënvizoj domosdoshmërinë që sëbashku, qeveria, bashkia, ndërmarrja të çojmë përpara reformën, sepse, nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë”. 

Paguani faturën e ujit, ndryshe nuk do të ketë më investime, madje edhe ato të bëra mund të humbisni. Ishte ky mesazhi i kryeministrit Rama, i cili thirrjen ia përsëriti edhe bizneseve të mëdha.

 “Edhe njëherë tjetër ju bëj thirrje të gjithë atyre që vazhdojnë të vjedhin ujin, që të përfitojnë nga muaji janar të shkojnë te ndërmarrja të bëjnë kontratën e ligjshme, të bëjnë lidhjen e ligjshme dhe të marrin matësin. Pas 1 Shkurtit nuk do ketë më asnjë tolerancë, nuk do ketë më asnjë lloj kompromisi, por kush do kapet që vjedh ujin do penalizohet sipas ligjit, duke filluar që na bizneset e mëdha.

Ne nuk do financojmë asnjë projekt për ndërmarrje që dalin me humbje dhe nuk do të mbështesim asnjë bashki që nuk performon në reformë”.

Investimi i ujsjellësit të Lezhës është pjesë e Programit “Infrastruktura Bashkiake I”, i cili do të vijojë me përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë në 7 bashki në jug të vendit. /abcnews.al