Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka qenë ditën e sotme në një takim elektoral në zonën e Astirit. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se kryeministri Edi Rama bën vetëm retorika ndërsa shtoi se ka mbetur peng i propagandës.
Po ashtu, kryetarja e LSI u shpreh se kjo parti do që njerëzit të kenë një jetë të garantuar në Shqipëri, “të keni një mundësi më të madhe për të punuar e krijuar hapësira të reja”.
FJALA E PLOTË
“Ne kemi qenë tërë ditën me takime dhe televizionet na thonin, prit se kemi Ramën. Ka filluar që në mëngjes e deri në 12 të drekës se çfarë mund të bëjë njeriu 4 orë, bën vetëm retorika. Ai flet vetëm, del vetëm, nuk shkon as në bashkëbisedim me njerëzit. Ai nuk e kuptoj se është njeri pa ide, vizion. Dhe një nga problemet e tij më të mëdha, ka mbetur peng i propagandës. Ju nuk mund të shkolloheni për propagandë, me batuta, me meme.
Ne mund të qeshim në një moment, por puna e përditshme, shkolla, punësimi, ushqimi në familje, veshëmbathja, spitali, arsimimi janë gjëra të përditshme. Dhe një nga problemet është se 8 vite propagandë, shqiptarët kanë kuptuar që ky zotëria ka rritur çmimin, taksat, ka mbyllur vende pune, është i paaftë të menaxhojë situata krize, si tërmeti apo pandemia e Covid, që e bllokoi ekonominë, situatën. Sot e kësaj dite asnjë biznes nuk ka marrë pagën e luftës apo kush e ka marrë, e mori ai drejtori i Bankersit, kinezi që nuk jeton fare në Shqipëri. Mori 300 mijë dollarë, pagë lufte nga taksat e shqiptarëve.
Ju keni prindërit tuaj, që jo veç kanë humbur vendet e punës, kanë falimentuar bizneset, por e shikoni më shumë, bllokimin e frymëmarrjes për të krijuar një zhvillim të ekonomisë. Me postin e kryeministrit ai del si kryetar i PS, duke uzurpuar mediat vetëm e vetëm që të mos i lejë mundësi qytetarëve, opozitës për të folur dhe ngritur problemet e tyre. Problemi ynë nuk është ai, por si të ndryshojmë dhe zhvillojmë jetën tuaj në të ardhmen. Ne duam që të keni një jetë të garantuar në Shqipëri, të keni një mundësi më të madhe për të punuar e krijuar hapësira të reja për ju dhe veten tuaj. Ne duam që ju të keni një arsim më të mirë. Ne kemi bërë laboratorë që në klasë të 8-të në 8-vjeçare, se tani është 9 vjeçare, në kimi. Reaksionet kimike, si mund të mësojë një fëmijë reaksionin kimik pa e parë se si ndodh. Se si mund të mësojë një reaksion organik. Edhe ai që është mësues vizatimi, si mund të vizatojë një fëmijë nëse nuk ka fletore dhe bojëra për të vizatur. ” /abcnews.al/