Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi këtë të martë është takuar me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Kryemadhi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka zbardhur detaje nga biseda që është zhvilluar në selinë e LSI. Në këtë takim bëhet me dije se kryetarja e LSI-së i ka shprehur mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e Ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit.
Në këtë takim gjithashtu është diskutuar dhe në lidhje me tryezën e përbashkët të reformës zgjedhore ku Kryemadhi bën me dije se kanë ndarë bindjen e përbashkët për përfundimin sa më të shpejtë të saj sipas standarteve të OSBE/ODIHR.
Postimi i plote:
Sot kisha kënaqësinë ti uroja një mandat të suksesshëm në Shqipëri, Ambasadores znj. Yuri Kim, si përfaqësuesja e aleatit tonë strategjik SHBA.
Shpreha mbështetjen e plotë për 3 prioritetet e Ambasadores Yuri Kim në Shqipëri, në fushën e sigurisë, në fushën e forcimit demokratik si dhe në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe të zhvillimit, për të cilat LSI ndan të njëjtin vizion dhe të njëjtin vlerësim.
Vlerësoj në mënyrë të veçantë theksin në prioritetet e bashkëpunimit ekonomik të cilat janë domosdoshmëri që vendi ti kthehet një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe të ofrojë punësim, veçanërisht për rininë.
Vlerësova gjithashtu mbështetjen e pakufizuar që SHBA jep për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përkrahjen e vazhdueshme për realizimin e reformave që kërkon axhenda jonë e integrimit.
Ndamë bindjen e përbashkët që përfundimi sa më i shpejtë i reformës zgjedhore sipas standarteve të OSBE/ODIHR është i një rëndësie prioritare. Vlerësova partneritetin strategjik me SHBA për forcimin e paqes, të zhvillimit dhe të integrimit të rajonit tonë./abcnews.al