Kryemadhi: Lista e LSI-së është risi në qarkun e Elbasanit

schedule10:00 - 27 Mars, 2021

schedule 10:00 - 27 Mars, 2021

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ditën e sotme ka prezantuar kandidatin Dylber Dervishi në Belsh.

Kryemadhi foli për projektet që ka kjo forcë politike në Belsh, për të mbështetur bujqësinë, turizmin, fermerët dhe bizneset.

“Në këto zgjedhje e gjithë lista e LSI-së do të jetë një risi dhe do të jetë një surprizë rezultati i saj”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se mungesa e punësimit, ekonomia e dobët, mungesa e sistemit arsimor dhe shëndetësor në këtë zonë e ka bërë të pamundur jetën e qytetarëve, ndërsa shtoi se kjo do të marrë fund më 25 prill.

Pjesë nga fjala e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

Mungesa e punësimit, ekonomia e dobët, mungesa e sistemit arsimor dhe shëndetësor që t’ju përgjigjet qytetarëve e ka bërë të pamundur jetesën në vend.

Vazhdon akoma të jetë një gangrenë çështja e duhanit, problematika e mos marrjes së pagesave të duhanit nga fermerët, të cilët punojnë, e prodhojnë atë, e shesin dhe në fund paratë nuk i marrin. Ndërsa sot, nëse ti rri vetëm një ditë pa paguar dritat apo ujin, ta presin shërbimin, ndërkohë që njerëzit rrinë me vite pa i marrë paratë e tyre.

Për trë mos folur pastaj për vaditjen e tokave, për të mos folur më pas përsa i përket problematikave të administrimit të liqeneve, administrimit të ullirit, prodhimit, shitjes dhe fabrikave të tyre.

Ne kemi Dylberin këtu kandidat për LSI-në për Bashkinë e Belshit, i cili është avokat, është djalë i zonës. Për hir të së vërtetës, për zona të tilla, është e vështirë që një njeri që diplomohet të vazhdojë të jetojë e të qëndrojë këtu, sepse edhe mundësitë e zhvillimit të biznesit apo të profesionit tënd janë shumë të vogla.

Por, unë jam e bindur që kjo pasuri natyrore këtu që është si Komo në Itali, që është një nga zonat më të pasura, me familjet më të pasura në Itali, kjo zonë këtu Belshi hyn tek bashkitë më të pasura përsa i përket burimeve natyrore, por është një nga më të varfrat.

Të mendosh që ke me ndihmë ekonomike 2 mijë familje është një fatkeqësi e madhe, ndërkohë që duhet të ishin familjet më të pasura për shkak të zhvillimit të turizmit, të ekonomisë, të bujqësisë e të shumë sektorëve të tjerë, por fatkeqësisht është një nga bashkitë më të varfra në vend.

Por unë jam e bindur që jo vetëm nga angazhimet e LSI-së, por edhe të vetë banorëve, edhe të vetë qytetarëve, por edhe të votuesve për herë të parë, që sot i kemi këtu përfaqësues, edhe pse presioni, apo mercenarët politikë të Rilindjes mundohen që të intimidojnë njerëzit, unë jam e bindur që për ta do të jetë e pamundur, dhe do të kemi një rezultat të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Belsh, por edhe në të gjithë Qarkun e Elbasanit.

Ne sot kemi ardhur edhe me dy përforcues me Altin Toskën, me Ermir Gjinishin, me mua, pra jemi katër deputetë të Qarkut të Elbasanit, gjë që është një nga prioritetet e LSI-së dhe zona e Belshit është me të vërtetë një mundësi shumë e madhe.

Ne kemi disa projekte të cilat duam ti zhvillojmë jo vetëm përsa i përket bujqësisë, por edhe të turizmit të kësaj zone për investimet në kanalet kulluese dhe ato vaditëse, sepse një nga problemet më të mëdha që ka sot Belshi është vaditja e tokës për shkak se mungesa dhe prishja e infrastrukturës së kanaleve vaditëse  ka bërë që prodhimet të kenë një çmim shumë më të lartë. Për tu ndalur më pas tek duhani, apo edhe tek shafrani, ku në zonën e Dumresë prodhimi i shafranit është një investim që kërkon investim fillestar nga shteti përsa i përket farës së saj, zhardhokut, por është një fuqi ekonomike shumë e madhe ekonomike, sidomos për gratë e Belshit.

Beri unë të falënderoj që pranove të bëhesh pjesë e listës sonë, pasi LSI ka nevojë për figura të reja, për njerëz të rinj, ka nevojë për një mentalitet të ri, dhe besoj që në këto zgjedhje e gjithë lista e LSI-së do të jetë një risi dhe do të jetë një surprizë rezultati i saj.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!