Kryemadhi: Kam vendosur të shtyj Konventën e LSI

schedule17:04 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 17:04 - 3 Dhjetor, 2020

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi përmes një konference për shtyp njoftoi vendimin për shtyrjen e Konventës së LSI, e cila do të mbahej më 5 dhjetor. “Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020″, tha Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit ky vendim është marrë në shenjë homazhi për të gjithë ata që kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19. Siç thotë ajo, vendimi për shtyrjen e mbajtjes së Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, nuk e afekton veprimtarinë e përditshme të strukturave të LSI në të gjitha nivelet e në të gjithë vendin.

“Vendimi im për të shtyrë mbledhjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është njëherësh edhe shenjë homazhi për ata që kanë humbur jetën prej pandemisë, është solidaritet më të gjithë qytetarët që po përballojnë me njëmijë e një sakrifica dhe pa mbështetjen e shtetit, kostot e mëdha të luftës për jetën dhe në emër të dashurisë për jetën.

Në emër të dashurisë për jetën, unë ju ftoj sot që ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t’i gjendemi në krah në këtë kohë të vështirë çdo njeriu në nevojë. Eshtë koha ta mundim të keqen, është koha të fitojmë mbi të keqen dhe ne të gjithë bashkë do t’ia dalim!”, u shpreh Kryemadhi. g.v/abcnews.al