Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi foli për incidentin e ndodhur pak ditë më parë kur deputetja Ina Zhupa i hoqi mikrofonin ministres Elva Margariti në Komisionin e Edukimit, ndërsa e ka krahasuar edhe me situatën e ndodhur javën e shkuar në Foltoren e Kuvendit, ku ish-kryeministri Sali Berisha shtyu Enkelejd Alibeajn.
“Unë besoj dhe shumë të tjerë si unë janë shtangur nga ajo sjellje harbute dhe morale. Jam e shtangur nga ajo sjellje, nuk vjen nga ndonjë politikan që kam që kur kam lindur që e shoh nga foltorja në foltore. Sepse nga ai e pres. Shtyrja e një kolegu gjatë fjalës në parlament dhe heqja e mikrofonit gjatë fjalës ndaj një kolegu në parlament në thelb kanë arrogancë. Pashë dëshirën për të treguar një shembull dhune duke treguar se nuk janë gati të debatojnë me një mendim ndryshe”, deklaroi Muzhaqi.
Pas saj ka folur kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e cila e quajti ministren Bora Buzhaqi dhe jo Muzhaqi. Kryemadhi tha se Muzhaqi nuk duhet të mbyllë karrierën e saj me ligën e Inceneratorëve duke zhvlerësuar arsimin që ka marrë jashtë vendit. Në atë moment ndërhyri edhe Spiropali.
Muzhaqi: Shqiptarët kudo ku shkojnë rezultojnë të jenë të parët në një fushë apo në një tjetër. Shpresë për të rinjtë shqiptarë ka plot. Nëse shkoni dhe i takoni nga qyteti në qytet hasni me të rinj shqiptar që janë plot shpresë.
Kryemadhi: Në respekt të procedurës i kërkoj falje që i ngatërrova mbiemrin. Shifrat kanë vlerë por edhe optimizmi është i rëndësishëm. Të rinjtë shqiptarë kanë shpresë se kanë Bora Muzhaqin në qeveri dhe shumë të tjera. Por nuk kanë shpresë studentët. Po të ishte për t’u marrë me ty do ishte shumë e thjeshtë për t’u marrë me ty. Ti mos u përdor. Mos e zhvlerëso shkollën që ke bërë sepse ka me qindra të tjerë që shohin diçka tjetër te ty. Mos e mbyll karrierën tënde politike me ligën e vjetër të Inceneratorëve.
Kryemadhi: Elisa ti ke Skënderbeun. Mos u shqetëso fare. Të të rrojë Skënderbeu. Në fund të fundit ky ishte shpërblimi që ti more. Thjesht je aty rojtare.
Spiropali: Kujdes Hamzain, po vjen në politikë
Kryemadhi: Keni marrë peng Shqipërinë dhe shqiptarët
Lapsusi i Kryemadhit solli edhe reagimin e kreut të Grupit parlamentar Taulant Balla.
“E dashur Monikë, jemi kolegë të vjetër, Muzhaqi është mbiemër shumë i madh dhe i uroj Borës si vajzë e re që ta justifikojë mbiemrin që mban dhe do ju kërkoja që askush në këtë sallë të mos keqinterpretojë mbiemrat, loja me mbiemrat nuk i shkon askujt, vijnë nga Muzaka, një fis që ka luftuar për këtë vend, fisi nga vjen e Bora e kanë vuajtur shumë diktaturën“, tha Balla.
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e Kryemadhit.
“Qeveria e Skënderbeut tonë, nuk ka nevojë për dado, kush është ministër e çon punën e vet deri në fund, se prandaj janë ministër”, tha Kryemadhi.
/abcnews.al