Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi po qëndron në Uashington, për bisedime me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë një takim të mundshëm me Presidentin Joe Biden.
Vizita shihet si një mundësi për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë dhe për të bërë të mundur një takim të nivelit të lartë mes Presidentit amerikan Joe Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping.
Kryediplomati kinez u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të enjten pasdite, pasi mbërritjes në Uashington në kuadër të vizitës tre ditore.
Para bisedimeve me dyer të mbyllura me zotin Blinken, ministri i Jashtëm Wang Yi tha se Kina do të kërkonte konsensus dhe bashkëpunim për “të bërë të mundur që sa më parë marrëdhëniet mes vendeve të jenë të mira dhe të qëndrueshme”.
Shtetet e Bashkuara janë zhgënjyer nga Kina për shkak të mbështetjes ndaj Rusisë në agresionin kundër Ukainës dhe heshtjes relative mbi luftën mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller tha se Kina duhet të përdorë fuqinë e saj ndikuese për të bërë thirrje për qetësi në Lindjen e Mesme. “Ne e dimë se Kina ka marrëdhënie me një sërë vendesh në rajon dhe do ta nxisnim që të përdorte këto marrëdhënie, këto linja komunikimi, për të nxitur stabilitet dhe qetësi”, tha zoti Miller.
Zyrtarët amerikanë besojnë se Kina ka kontakte të konsiderueshme me Iranin, i cili është një mbështetës i fortë i grupit militant të Hamasit.
Pas takimit mes zotit Blinken dhe zotit Wang, Departamenti i Shtetit tha se zyrtarët biseduan mbi “çështje që ndajnë dy vendet” dhe mbi “mundësitë e bashkëpunimit”, ndërsa zoti Blinken “konfirmoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë interesat dhe vlerat e aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Wang pritet të ketë një tjetër takim me Sekretarin Blinken sot, si edhe me Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivane. Të dy zyrtarët pritet të nxisin Kinën që të luajë një rol më konstruktiv në konfliktin Izrael-Hamas dhe agresionin rus ndaj Ukrainës. Nuk është ende e qartë nëse ministri i Jashtëm i Kinës do të takohet me Presidentit Biden. Praktika diplomatike e reciprocitetit sugjeron se një gjë e tillë mund të ndodhë, pasi Sekretari Blinken u prit nga Presidenti kinez Xi Jinping, gjatë vizitës së tij në Pekin, në muajin qershor./VOA