Nuk ngjan fare me formacionet e mëdha të 1998-ës apo 2018-ës. Gjithsesi, Kroacia mbetet Kroaci, një kombëtare e vogël, por edhe e madhe, e cila nuk dorëzohet kurrë kur luan në turnetë e mëdhenj.
Edhe pse u mund bindshëm 4-2 nga Anglia në sfidën e parë të grupit L, pati forcën morale dhe fizike që të kthehej në shina. Të besuarit e trajnerit Zlatko Daliç, në stol që nga viti 2017, mundën 1-0 Panamanë dhe duke pasur tri pikë e duke qenë me shpresë të plotë për të kaluar fazën e grupit.
Ndaj rivalit nga Amerika Qendrore nuk e patën aspak të lehtë, edhe sepse disa nga yjet si Modric, Perishiç apo Kovaçiç, janë vërtet të vjetër, dhe kroatët patën epërsi, por edhe ritëm të ulët.
Aq e vërtetë është kjo, saqë panamezët bënë më shumë gjuajtje drejt portës sesa medalistët e bronzit në fuqi.
Daliç bëri zëvendësime pas pushimit dhe arriti ta zgjidhte ndeshjen, pasi golin e vetëm e shënoi njëri prej tyre, sulmuesi i Osasunës në La Ligën e Spanjës, Ante Budimir.
Edhe ky është një nga veteranët, duke qenë 34 vjeç. Kapiteni Luka Modriç luajti ndeshjen numër 200 me kombëtaren, dhe mbetet pika e referimit pavarësisht moshës 40-vjeçare.
Kroacia tashmë kualifikohet si një nga dy të parat në grup nëse mund Ganën në ndeshjen e tretë, por mund t’ia dalë edhe me barazim, ndërsa Panamaja është e eliminuar pas dy humbjeve radhazi.
Ballkanasit kanë shkëlqyer në dy Botërorët e fundit, nënkampionë në 2018 dhe vendi I tretë në 2022, pra padyshim që mbeten me pretendime edhe pse nuk e kanë forcën e dikurshme.



