Kroacia fluturon, Argjentina merr goditjen e dytë

schedule21:58 - 21 Qershor, 2018

schedule 21:58 - 21 Qershor, 2018

Kroacia shkatërron 3-0 Argjentinën dhe kualifikohet për në turin e dytë të Botërorit. Messi dhe yjet e tjerë argjentinas, bëjnë gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.

Ajo që parandihej, nuk mund të mos ndodhte. Argjentina në Botëror ishte si boksieri në prag të nokautit, dhe këtë ia shkaktoi Kroacia, duke e mposhtur 3-0. Luka Modriç fitoi duelin e yjeve me Lionel Messin, i cili tashmë po bën gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi.

Asnjë rëndësi nuk pati fakti që argjentinasit ishin nënkampionë të botës, ndërsa kroatët shumë më modestë si emër, pasi në stadiumin e Nizhni Novgorodit u pa vetëm skuadra ballkanase.

Ante Rebiç, Luka Modriç dhe Ivan Rakitiç ishin autorët e golave, në një ndeshje që kroatët e fituan duke dominuar mesfushën, e duke bllokuar të gjithë yjet që Argjentina pati në fushë.

Nuk bënë punë as Messi e Aguerro, as Higuain e Dybala që hynë në lojë në pjesën e dytë. Futbolli nuk është një lojë individësh, por sport kolektiv, dhe gjigandët e Amerikës së Jugut nuk ishin të tillë.

Ata nuk patën lojtarët e duhur në mbrojtje e në mesfushë, po ashtu nuk përballuan dot presionin, dhe nuk dihet nëse trajneri Sampaoli ishte njeriu më i përshtatshëm për stolin.

Për tifozët në tribuna, mes të cilëve edhe Diego Armando Maradona, vuajtja duhet të ketë qenë e madhe. Në krahun tjetër, Kroacia e arriti kulmin që kërkonte, të paktën për fazën e grupeve. Lojtarët e saj janë të mrekullueshëm, Modriç, Rakitiç, Perisiç, Mandzukic apo Lovren.

Ata po bëjnë krenar një shtet me pak më shumë se 4 milionë banorë, dhe ndoshta mund t’i afrohen mrekullisë së vitit 1998, kur kombëtarja e Shukerit, Bobanit e Prosineçkit doli e treta në botë.

Argjentina ende nuk është eleminuar, por është shumë pranë. Nëse Islanda mund Nigerinë, Messi me shokë nuk do ta kenë më fatin në duart e tyre. Kroacia kryeson grupin D me 6 pikë në dy ndeshje, ndërsa Argjentina e madhe ka vetëm 1./abcnews.al