Nuk ishte e paktë.
Kroacia ka qenë në diskutim gjatë gjithë këtij Botërori, sidomos pas humbjes me Anglinë, por duket se brezi I artë I Luka Modriçit me shokë nuk ka ndërmend të shuhet kaq lehtë.
Pas suksesit të vështirë dhe minimal ndaj Panamasë, të mbiquajturit “të zjarrtët” ia dolën edhe në duelin për vendin e dytë në grup, në atë kundër Ganës.
Fitore 2-1 me gola nga Suçiç në pjesën e parë, barazim të afrikanëve me anë të rrjetës nga Lukasen në 73’ dhe vulosje përfundimtare të rezultatit me autor sulmuesin Nikola Vlashiç.
Modriç shërbeu asistin e golit të dytë, ndërsa Kovaçeviç krijoi të parin.
E vërteta është që ballkanasit bënë më shumë, edhe pse në momente të caktuara patën fat.
Edhe zotërimi I topit, edhe totali I gjuajtjeve ishte për të besuarit e trajnerit Zlatko Daliç, madje goditjet në kuadrat ishin 4-1.
Për të tretën herë radhazi, u arrit raundi I dytë dhe pretendimet janë të mëdha, sepse në dy Botërorët e mëparshëm u arrit vendi I dytë dhe I tretë.
Gjithsesi, mediat e Zagrebit nuk janë aspak të lumtura me shortin pasi në raundin tjetër, atë me eliminim direkt, Kroacia do të ndeshet me Portugalinë, që nuk ka qenë aspak një fat I mirë.
Gjithsesi, do të kemi mundësi të ndjekim duelin e fundit mes legjendave Luka Modriç e Kristiano Ronaldo.



