Kroacia e Zvicra në finalet e Botërorit

schedule14:25 - 13 Nëntor, 2017

schedule 14:25 - 13 Nëntor, 2017

Kroacia dhe Zvicra u kualifikuan për në finalet e Kupës së Botës në Rusi. Të dyja skuadrat ia dolën pasi barazuan pa gola ndeshjet e kthimit në plej of.

Tashmë janë 28 finalistë.

Botërori njohu edhe dy skuadra që do të marrin pjesë në turneun e madh, pasi Kroacia dhe Zvicra kaluan me sukses plej ofin.

Ballkanasit triumfuan në derbin e Gadishullit ndaj Greqisë, duke e mbrojtur pa shumë shqetësime fitoren 4-1 arritur në ndeshjen e parë, në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit.

Në Pire, barazuan pa gola ndaj një skuadre vendase, që u duk hija e asaj të dikurshmes që arriti edhe të shpallej kampione e Europës në 2004.

Kroatët që patën në stol ish-trajnerin e Dinamosë së Tiranës, Zllatko Daliç, u mbështetën tek disa nga yjet më të mëdhenj të kontinentit, si Modriç, Perishiç, Rakitiç apo Manxhukiç.

Përballja doli e dobët, ndonëse luftarake, me vetëm një gjuajtje brenda kuadratit gjatë më shumë se 90 minutave.

Në stadiumin “Karaiskaqis” nuk kishte asnjë tifoz mik, pas akordit mes federatave për të mos pasur incidente.

Kroacia u kualifikua për të 10-ën herë në finalet e një turneu të madh, nga 12 ku ka marrë pjesë që nga shpallja e pavarësisë në 1991.

Finalistja tjetër ishte Zvicra, ndonëse Irlanda e Veriut padyshim mallkon penalltinë e padrejtë që iu dha kundër në ndeshjen e parë, dhe që vendosi fatin e plej ofit.

Zviceranët iu falën golit të shënuar në Belfast nga Rodrigez, ndërsa sfida e dytë në stadiumin e Bazelit përfundoi pa gola.

Ndeshja ishte e fortë dhe irlandezoveriorët iu afruan kualifikimit në minutat e fundit, kur pati një rast shumë të mirë për të shënuar.

Zvicra pati në fushë katër lojtarë me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Blerim Xhemailin dhe Admir Mehmedin që luajti si zëvendësues./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!