Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kroacia blen sisteme kundër dronëve në vlerë prej 125 milionë euro

schedule16:13 - 18 Dhjetor, 2025

schedule 16:13 - 18 Dhjetor, 2025

Kroacia ka nënshkruar marrëveshje kornizë në vlerë 125 milionë euro për prokurimin e një sistemi për mbrojtje nga mjetet ajrore pa pilot.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Ivan Anushiç dhe presidenti i Bordit drejtues të kompanisë “Konçar” Gordan Kolak nënshkruan marrëveshjen kornizë, me të cilin Forcat e Armatosura Kroate do të forcojnë mbrojtjen e infrastrukturës ushtarake dhe do t’u përgjigjen kërcënimeve në rritje të sigurisë ndërsa dorëzimi është planifikuar deri në vitin 2027.

“Kjo është marrëveshje kornizë pesëvjeçare midis Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë dhe kompanisë Konçar Digital d.o.o., e cila nis një projekt zhvillimi shumëfazësh për të pajisur Forcat e Armatosura të Kroacisë me sisteme anti-dronë si përgjigje ndaj kërcënimeve në rritje të sigurisë dhe përdorimit gjithnjë e më intensiv të mjeteve ajrore pa pilot në operacionet moderne ushtarake”, njoftoi Ministria Kroate e Mbrojtjes.

Vlera e marrëveshjes është 125 milionë euro pa TVSH-në ndërsa dorëzimi i sistemit është planifikuar për vitin 2027.Si pjesë e projektit, është planifikuar të blihen katër sisteme anti-dronë, dy sisteme stacionare të destinuara për të mbrojtur infrastrukturën kritike ushtarake dhe dy sisteme mobile të integruara në automjete për nevojat e brigadës së mesme të këmbësorisë.

Anushiç shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme. “Kompanitë vendase, njohuritë vendase dhe njerëzit vendas janë të përfshirë në zhvillimin e këtij projekti të madh, i cili është padyshim e ardhmja e sigurisë dhe luftës ofensive”, tha ai.

Sipas tij, bëhet fjalë për katër sisteme të mëdha mbrojtjeje kundër dronëve që do të zhvillohen nga kompanitë kroate. “Sistemi është provuar dhe testuar, është me cilësi të lartë dhe së shpejti infrastrukturat tona kritike ushtarake do të mbrohen nga ky sistem. Bëhet fjalë për një brez të ri sistemesh mbrojtjeje që do ta zbatojmë në infrastrukturën tonë kritike”, tha Anushiç.

Anushiç sqaroi se së bashku me bartësit e projektit, kompaninë kroate “Konçar” dhe kompaninë polake APS, në zbatim do të përfshihen edhe kompani të tjera kroate, përfshirë “Orqa”, e cila është përgjegjëse për ofrimin e sistemit të inteligjencës artificiale.

Ai theksoi se fokusi i industrisë kroate të mbrojtjes është te dronët dhe mbrojtja kundër dronëve, të cilat aktualisht janë të domosdoshme në luftën moderne. “Kroacia, së bashku me Holandën dhe Letoninë, është kombi kryesor në Bashkimin Evropian në prodhimin dhe shpërndarjen e dronëve FPV”, tha ministri kroat.

Gordan Kolak shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e marrëveshjes për zhvillimin e një sistemi të ri mbrojtës kundër dronëve, teknologjikisht të përparuar, duke theksuar se është produkt kroat dhe një zgjidhje që po zhvillohet brenda industrisë vendase.

“Ky projekt tregon se ‘Konçar’ po zhvillon vazhdimisht aftësitë e tij dhe po ndërton të ardhmen mbi zbatimin e teknologjive të reja”, tha ai.

Kompania Konçar Digital d.o.o. në këtë projekt vepron si integruese e sistemit dhe prodhuese e një pjese të pajisjeve të kompanisë polake Advanced Protection Systems (APS). Si rezultat, një pjesë e prodhimit të sistemit “SKYctrl” është zhvendosur në Kroaci, gjë që mundëson transferimin e njohurive, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike lokale si dhe mirëmbajtjen dhe mbështetjen afatgjatë të sistemit.

Pajisja me sisteme anti-dronë është një hap strategjik përpara në zhvillimin e aftësive mbrojtëse kombëtare, forcimin e bazës industriale dhe teknologjike vendase. Një qasje e tillë lejon mbështetje më të fortë për kompanitë kombëtare, kapacitetet kërkimore dhe zhvillimore si dhe forcimin e sigurisë së Kroacisë në planin afatgjatë.

Prokurimi i sistemeve kundër dronëve është pjesë e procesit të vazhdueshëm të modernizimit të Forcave të Armatosura Kroate dhe përshtatjes ndaj sfidave të reja të sigurisë në mjedisin rajonal dhe global.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!