Krizë diplomatike mes Ukrainës dhe Gjeorgjisë, Kievi dëbon ambasadorin gjeorgjian

schedule15:37 - 4 Korrik, 2023

schedule 15:37 - 4 Korrik, 2023

Gjeorgjia e ka cilësuar “fyes” vendimin e Ukrainës për të dëbuar ambasadorin e saj në Kiev në shenjë proteste ndaj trajtimit të ish-presidentit të burgosur gjeorgjian Mikheil Saakashvili, i cili gjithashtu ka nënshtetësi ukrainase.

Gjatë një seance dëgjimore ditën e djeshme në një gjykatë në Tbilisi, Mikheil Saakashvili, president i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri në 2013, u shfaq me një fytyrë të zbehtë dhe shumë i dobët.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se i kishte kërkuar ministrit të tij të jashtëm të thërriste ambasadorin gjeorgjian në Kiev për t’i kërkuar që të largohej nga Ukraina brenda 48 orëve.

Sot, ministria e jashtme e Ukrainës akuzoi Gjeorgjinë për “torturimin” e Saakashvilit, 55 vjeç, i cili ndodhet në burg për “shpërdorim pushteti”, një akuzë që ai e mohon.

Në përgjigje të vendimit të Kievit për të dëbuar ambasadorin gjeorgjian, kreu i partisë në pushtet në Gjeorgji, e cilësoi vendimin fyes.

Autoritetet ukrainase i kanë kërkuar vazhdimisht Gjeorgjisë që të lejojë që Saakashvili të transferohet në Ukrainë ose në një vend perëndimor për trajtim mjekësor, por nuk ka marrë përgjigje.

Mjekët besojnë se Mikheil Saakashvili, një figurë kyçe e opozitës në Gjeorgji, rrezikon të vdesë nga problemet shëndetësore. Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Tbilisit të respektojë të drejtat e ish-presidentit dhe t’i sigurojë atij kujdesin e duhur mjekësor.

Këshilli i Europës e konsideron Mikheil Saakashvilin një “të burgosur politik” dhe Amnesty International e përshkruan trajtimin e tij si “hakmarrje politike”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!