Shtetet e Bashkuara kanë dërguar avionët e parë me ndihma humanitare për popullsinë e Venezuelës. Ndihmat kanë zbarkuar në një qytet në kufirin me Kolumbinë dhe ende është e paqartë se si do të hyjnë në territorin venezuelian, ku qeveria Maduro ka deklaruar se nuk do t’i pranojë.
Avionët e parë ushtarakë amerikanë kanë mbërritur në kufirin mes Kolumbisë dhe Venezuelës për të shpërndarë ndihmat humanitare për vendin latin të kapluar nga kriza. Avionët kanë zbarkuar në qytetin kufitar Kukuta, me kërkesë të liderit të opozitës venezueliane, Huan Guaido, që muajin e kaluar u vetëshpall president i përkohshëm i vendit. Guaido ka deklaruar se rreth 600 mijë vullnetarë venezuelianë do të punojnë për të kaluar ndihmat në kufi, duke nisur nga data 23 shkurt.
“Ne do të mobilizohemi brenda dhe jashtë kufijve. Beteja jonë vazhdon”, ka deklaruar Guaido përmes një postimi në Twitter.
Nga ana tjetër, presidenti Nikolas Maduro ka deklaruar se ndihmat janë pjesë e një komploti amerikan për të pushtuar ushtarakisht Venezuelën. Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si ndihmat do të kalojnë kufirin, duke qenë se pjesa venezueliane e aksit lidhës me Kolumbinë është e bllokuar nga konteinerë të mëdhenj, të përdorur për tregtinë. Në një konferencë për shtyp nga qyteti Kukuta, administratori i USAID, Mark Grin ka deklaruar se ndihmat kanë mbërritur për shkak se Venezuela ndodhet e përfshirë nga një krizë humanitare.
“Fëmijët janë të uritur dhe thuajse të gjitha spitalet në Venezuelë kanë mungesë të theksuar medikamentesh”, ka thënë Grin.
Ai ka shtuar se kriza ka marrë përmasa rajonale, nisur nga fakti se 3 milionë qytetarë venezuelianë kanë emigruar në vendet fqinje në kërkim të ushqimit dhe mjekimeve./abcnews.al