Kriza në Ukrainë, Dervishi: Rusia do të ndryshojë ekuilibrat, si preket Shqipëria dhe roli i portit të Durrësit

schedule23:31 - 11 Shkurt, 2022

schedule 23:31 - 11 Shkurt, 2022

Gazetari Ferdinand Dervishi i ftuar në emisionin “Ballkan” në ABC analizoi krizën në Ukrainë, qëndrimin e Rusisë dhe ndikimin që mund të ketë kjo situatë në Shqipëri. Dervishi tha se Rusia kërkon të bëjë një shantazh të fuqishëm ndoshta pa shkuar deri te pushtimi për të ndryshuar peshën e vet në rangun global.

“Rusia do të bëjë një shantazh të fuqishëm. Do të ndryshojë peshën e vet në rangun global. Edhe kinezët sikur kanë shtuar agresionin. Sa kuptohet është që ato duan që të bëhet një ndryshim i madh global. Të bëhet një sistem bipolar si ishte në luftën e ftohtë. Ne na intereson Shqipëria”, tha Dervishi.

Ai shtoi se Shqipëria preket nëse ekuilibrat ndryshojnë pasi SHBA nuk do jenë më në rolin e ndërmjetësit në rast konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Ne na ndikon kjo. Sepse nuk do jenë më SHBA që do marrin serbët dhe shqiptarët dhe do i ulin në tryezë. Do jenë faktorë që do ndikojnë. Këto ne nuk na intereson ky fuqizim i Rusisë dhe Kinës. Teorikisht Rusia e sulmon dhe e pushton shumë thjeshtë. Por tjetër gjë është ta sulmosh dhe tjetër gjë ta mbash.

Për ta mbajtur nuk është sa ushtri të fuqishme ke, por sa ekonomi të fuqishme ke. Rusia nuk është as 2 trilion dollar. Ndërsa Italia që është më e vogël ka fuqi ekonomike më të madhe se Rusia. SHBA GDP e kanë 24.7 trilion dollar në vit. Nëse ata e pushtojnë dhe përpiqen ta mbajnë ekonomia e tyre shkatërrohet. Edhe Putin po ta shohësh thotë po na tërheqin në luftë. Rusia do dominim botëror me shantazh të fortë për të marrë disa koncesione. Propaganda që ata bëjnë është për NATO duke e cilësuar si pushtues. Thonë që NATO nuk është e sigurt por një aleancë që na rrezikon”, tha ai.

Për dërgimin e trupave në Ukrainë, Dervishi tha se si një opsion i mundshëm mund të jetë edhe aksesimi i Portit të Durrësit

“NATO-s dhe SHBA Shqipëria i duhet si një platformë për futjen e trupave eventualisht në drejtim të Ukrainës.  Amerikanët janë në kohën e duhur të përcaktojnë se ku do ketë konflikte globale. Teknikët thonë që Porti i Durrësit është i vetmi port i sigurt për të bërë kalim trupash në drejtim të Ukrainës. Në Bosfor nuk mund të futet asnjë aeroplanmbajtës. Edhe Porti i Selanikut ashtu si ai i Bosforit nuk rekomandohen për shkak të pozicionit sepse janë afër konfliktit. Pireun e kanë marrë kinezët. Tivari është i vështirë për t’u aksesuar për shkak të rrugëve”, u shpreh Dervishi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!