Kriza energjetike e ka futur në kolaps Kosovën. Shqipëria i ka dhuruar energji për natën e ndërrimit të viteve, por kjo nuk e zgjidh problemin me të cilin po përballet qeveria Kurti.
Por përse erdhi në këtë pikë dhe a mund të ishte parandaluar kolapsi? Për të analizuar situatën, i ftuar në një lidhje me “Skype” nga Prishtina në Radarin Informativ në “ABC” ishte Ardian Arifaj. Analisti theksoi se problemet janë dy; mungesa e një strategjie afatgjate dhe mos marrja e masave nga qeveria aktuale për të kaluar momentin e keq.
“Kanë munguar investimet afatgjata për prodhimin e energjisë me thëngjill duke pasur parasysh rezervat për ndotjen e ambientit. Kosova nuk arriti që të ndërtojë një termocentral të ri, duke u bazuar te të vjetrit që janë amortizuar. I pari është ndërtuar në vitet ’60, nuk gjen as pjesë rezervë, por edhe “Kosova B” është e viteve ’80.
Dështimi i parë është ndërtimi i kapaciteteve të reja. Dështimi afatshkurtër është planifikimi që të bëheshim gati për krizën që dukej se do të vinte. Kemi një çrregullim të tregut dhe çmimeve dhe vështirësi për të blerë energji në treg të hapur. Qeveria është vonuar me subvencionet për blerjen e energjisë” tha ai.
Kryeministri Kurti tha se do të ketë dy rrugë; ose reduktim të energjisë ose rritje të çmimit. Por analisti Ardian Arifaj shprehet se qytetarët do i pësojnë të dyja.
“Qytetarët do i pësojnë të dyja. Edhe 40 minuta do të ndalë rryma në apartamentin tim. Reduktimet janë mbi 2 orë brenda 24 orëve. Parashikohet që së paku tani, në pranverë do të ketë ndryshim të çmimit në Kosovë. Gjatë vitit të ardhshëm do të jenë të detyrueshme të dyja” tha ai./ Abcnews.al