Kriza në Itali, fyerje dhe ofendime në rrjetet sociale

schedule15:00 - 10 Gusht, 2019

schedule 15:00 - 10 Gusht, 2019

Liga e Veriut dhe Lëvizja 5 Yjet në Itali, pas prishjes së koalicionit qeverisës kanë shpërthyer në fyerje dhe ofendime në rrjetet sociale. Partia e Mateo Salvinit ka ironizuar nismën e 5 Yjeve për të reduktuar numrin e parlamentarëve, ndërsa Luixhi Di Maio ka akuzuar ish-aleatin se nuk e ka idenë se çfarë është qeverisja.

Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Xhuzepe Konte, në Itali, nuk është votuar ende, por tashmë ish-aleatët kanë nisur fushatën duke sfiduar njëri-tjetrin me postime në Facebook dhe Tëitter.

“Fyerjeve dhe ofendimeve të 5 Yjeve me shokë u përgjigjemi vetëm me forcën e ideve tona”, ka thënë kryetari i Ligës së Veriut, Mateo Salvini në një postim, ku ka përsëritur parullën e tij, “Të parët italianët”.
Nga ana e saj, 5 Yjet ka deklaruar se Liga e Veriut nuk ka asnjë ide se si të financojë taksën e sheshtë dhe kjo sipas saj, sepse personazhe të inkriminuara që vërtiten pranë legistëve prej muajsh punojnë që normat anti-korrupsion të cenohen.

Edhe akuzave të Salvinit që aludonte për një aleancë mes Luixhi Di Maios dhe ish-kryeministrit Mateo Renzi, 5 Yjet iu përgjigj: “Salvini po deliron. Le të shpikë diçka më të mirë”. Gjithashtu, partia e udhëhequr nga Di Maio ka deklaruar se po mbledh firmat për reduktimin e numrit të deputetëve. “Do të shkurtojmë 345 vende parlamentarësh dhe rrogat e tyre.
Mund ta bëjmë shumë shpejt pasi na duhet vetëm një votë”, ka thënë Di Maio në Facebook. Sipas tij, në këtë mënyrë mund të kursehen gjysmë miliard euro dhe të investohen për ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe spitaleve. Por për Salvinin, çështja e shkurtimit të parlamentarëve është vetëm një pretekst që 5 Yjet të ruajnë kolltukët e saj.
Gjithashtu, Salvini ka sulmuar ish-aleatët për mbështetjen që i kanë dhënë Ursula fon der Lejen, ish-ministrja gjermane që u bë presidente e Komisionit Europian.
“Ata votuan si presidente të Europës shoqen e Angela Merkel, ju kujtohet?”, ka vijuar Salvini, i cili akuzon kancelaren gjermane se ka kolonizuar ekonominë italiane. Fyerjet dhe ofendimet mes palëve, që dikur pretendonin se qeveria e tyre do të zgjaste 5 vjet, janë pa fund dhe sipas mediave italiane, pritet që në ditët e ardhshme të dalin edhe nga kornizat e rrjeteve sociale. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!