Kriza në Haiti, jep dorëheqjen kryeministri Ariel Henry

schedule07:58 - 12 Mars, 2024

schedule 07:58 - 12 Mars, 2024

Kryeministri i Haitit, Ariel Henry ka rënë dakord të japë dorëheqjen pas javëve presioni dhe dhunës në rritje në vend. Ky vendim vjen pasi krerët rajonalë u takuan në Xhamajka të hënën për të diskutuar tranzicionin politik në Haiti. Ai ndodhet aktualisht në Porto Riko, pasi bandat e armatosura e penguan që të kthehej në vend.

“Qeveria që unë drejtoj do të japë dorëheqjen menjëherë pas instalimit të një këshilli (të tranzicionit). Dua të falënderoj popullin Haitian për mundësinë që më është dhënë. Unë po u kërkoj të gjithë haitianëve të qëndrojnë të qetë dhe të bëjnë gjithçka që munden që paqja dhe stabiliteti të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.

Henry ishte në Kenia për të nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e një force ndërkombëtare të sigurisë për të ndihmuar në trajtimin e dhunës kur një koalicion bandash sulmoi stacionet e policisë dhe dy nga burgjet më të mëdha të Haitit.

Henry do të zëvendësohet nga një këshill presidencial që do të ketë dy vëzhgues dhe shtatë anëtarë me votim, duke përfshirë përfaqësues nga një numër koalicionesh, sektori privat, shoqëria civile dhe një udhëheqës fetar.

Këshilli është mandatuar të emërojë së shpejti një kryeministër të përkohshëm dhe kushdo që synon të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të Haitit nuk do të mund të marrë pjesë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!