Kriza me emigrantët në Itali, Shqipëria gati të marrë 20 refugjatë

schedule20:57 - 25 Gusht, 2018

schedule 20:57 - 25 Gusht, 2018

Shqipëria është e gatshme të ndihmojë Italinë në zgjidhjen e situatës së krijuar nga bllokimi i 150 emigrantëve në det, duke ofruar gatishmërinë të strehojë një pjesë të emigrantëve të anijes “Diccioti” e bllokuar prej ditësh në portin e Katanias.

Burime të Tv Klan thanë se mes dy qeverive është rënë dakord që vendi ynë të marrë 20 emigrantë. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati njoftoi në Twitter se Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj për përballimin e kësaj situate.

“Itali, ne nuk mund të zëvendësojmë Evropën, por jemi gjithmonë këtu, nga ana tjetër e një deti ku ishim ne dikur ata eritreas që vuajnë ditë e natë në mes të detit, në pritje që Evropa të zgjohet!!! Dje Italia na shpëtoi. Sot jemi gati të ndihmojmë”.

Ministri Bushati zhvilloi edhe një bisedë telefonike me homologun e tij italian Enzo Moavero Milanesi, i cili falenderoi qeverinë shqiptare për gadishmërinë e treguar dhe vlerësoi këtë veprim duke e cilësuar si një shembull inkurajues për shumë vende të BE-së.

Sakaq, situatat sanitare në anijen ‘Diciotti’ mbetet delikate. Autoritetet urdhëruan zbritjen e 17 personave, disa prej tyre të dyshuar se janë infektuar me turbekuloz.

Dështimi në arritjen e një marrëveshjeje me BE-në për menaxhimin e emigrantëve të bllokuar në anijen e ankoruar në portin e Katanias ka futur në krizë Italinë. Kryeministri Giuseppe Conte ka mbetur i paralizuar mes qëndrimit kategorik të dy zëvendësve të tij kundër zbarkimit të refugjatëve dhe përgjigjes së prerë të Brukselit, që refuzon ndarjen në kuota. Conte shpresonte në gadishmërinë e vendeve anëtare, një shpresë kjo që rezultoi e kotë pasi përgjigjia e BE-së nuk linte vend për interpretime.

Ministri i Brendshëm Mateo Salvini propozoi identifikimin e emigrantëve në bordin e anijes dhe shqyrtimin po atje të atyre që mund të kenë të drejtë për azil.

Tv Klan

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!