Kriza energjetike, Kosova ndalon prodhimin e kriptomonedhave

schedule11:55 - 4 Janar, 2022

schedule 11:55 - 4 Janar, 2022

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot vendimin për ndalimin e  prodhimit të kriptovalutave në Kosovë. Rizvanolli ka njoftuar se këtë vendim, qeveria e ka marrë me rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore. Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli deklaroi se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave në lokacionet e identifikuara ku bëhet prodhimi i tyre.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!