Kritikohet për gjuhën e përdorur në parlament, Johnson mbron fjalorin

schedule22:48 - 26 Shtator, 2019

schedule 22:48 - 26 Shtator, 2019

Opozita britanike e ka kritikuar ashpër kryeministrin e vendit për fjalorin e përdorur në Parlament këtë të mërkurë. Por Boris Xhonson ka deklaruar se nuk ka mënyrë tjetër për të folur kur bëhet fjalë për Breksit.

Kryeministri britanik Boris Xhonson është akuzuar se ka përdorur një gjuhë të rrezikshme dhe ofenduese gjatë debateve të ashpra të zhvilluara të mërkurën në Parlament. Gjithashtu, ai është kritikuar me argumentin se me qëndrimin e tij ka thelluar përçarjet në lidhje me Breksit në Britaninë e Madhe. Dhoma e Përfaqësuesve u mblodh për herë të parë të mërkurën pasi Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar e cilësoi të paligjshëm vendimin e kryeministrit për pezullimin e Parlamentit. Të enjten, kryetari Xhon Berkou i cilësoi si “toksike” replikat e Xhonson ndaj ligjvënësve. Gjatë fjalimit të mbajtur, kryeministri gjithashtu e përshkroi disa herë si “aktin e dorëzimit” ligjin e ri që bllokon një dalje pa marrëveshje nga BE-ja. Ai e quajti Parlamentin një “sallë zombish” dhe akuzoi partitë e opozitës për tradhti, ndërsa refuzoi të ndryshonte taktikën e tij për të shëruar përçarjet në vend. “Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është zbatimi i rezultatit të referendumit të vitit 2016”, shtoi Xhonson. Disa nga mbështetësit e kryeministrit kanë aprovuar performancën e tij duke akuzuar politikanët e opozitë se ishin treguar gjithashtu abuzivë. Vetë Xhonson, duke reaguar ditën e enjte për BBC ka mbrojtur fjalorin e përdorur. “Mendoj se në Dhomën e Përfaqësuesve është e rëndësishme që unë të flas për ligjin e Breksit në atë mënyrë që fola të mërkurën”, ka thënë ai. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!