Sali Berisha ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit ku janë diskutuar emrat e kandidatëve për Kryesinë e re që do t’i çohen ditën e shtunë për votim Këshillit Kombëtar, i cili mblidhet në orën 11:00.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ky ishte një rast për t’i shprehur mirënjohjen çdo anëtari të Komisionit që u angazhua gjatë kësaj kohe, në “rivendosjen e pluralizmit të vërtetë politik në Shqipëri.”
Ndërsa, i pyetur se përse në liste nuk shihen emra që e kanë kritikuar apo i kanë dalë kundër, lideri historik i demokratëve tha se janë zgjedhur për kandidatë zonja e zotërinj me kontribut në PD. Më tej ai shtoi se kushdo është i lirë që të vijojë ta kritikojë apo t’i bëjë vërejtje.
“Ishte rast për të shprehur mirënjohjen time ndaj çdo anëtari të këtij komisioni, që u angazhuan dhe dhanë një kontribut substancial në realizimin e tij. Në rikthimin, rivendosjen e pluralizmit të vërtetë politik në Shqipëri.
Komisioni, në mbledhjen e tij, siç e parashikon statute, ka miratuar listën e kandidatëve për kryesinë që do të zgjidhet nesër nga Këshilli Kombëtar. Ka dhe të rinj e të reja.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar do të kenë mundësi që të zgjedhin me kandidatura alternative, kryesinë e PD. Ju do të shihni në ekran çdo votë, për çdo kandidat të votuar në listë.
Unë mendoj se në listë janë paraqitur kontributet e Rithemelimit, janë paraqitur zonja dhe zotërinj me kontribut. Natyrisht, lidhur me ata që kanë vërejtje, sugjerime dhe kritika, janë të mirëpritur t’i vijojnë vërejtjet, kritikat pa asnjë lloj…”
Duke u kthyer tek lista, ajo që bie në sy është rikthimi i Jozefina Topallit, Arben Imamit dhe Florion Mimës. Në listë gjithashtu janë dhe Ina Zhupa dhe Kasem Mahmutaj, të vetmit deputetë që morën pjesë në Kuvendin e 30 prillit. /abcnews.al/