Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, atmosfera në selinë e Partisë Demokratike është e qetë, megjithëse kanë nisur reagimet e para ku kërkohet dorëheqja e Lulzim Bashës.
Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se aktualisht Basha është në seli, ku takimi më i rëndësishëm që ka zhvilluar është me ish-ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi. Ky i fundit është personi kyç që do të hartojë një sërë padish për këto zgjedhje.
Ndërkohë, ende nuk rezulton nëse do të ketë një vendimmarrje nga ana e kryedemokratit lidhur me kërkesat për dorëheqjen e tij. Në korrik të vitit 2021, Bashës i përfundon mandati si kryetar i PD, ndërkohë zërat që kërkojnë largimin e tij duan që ky proces të jetë më i përshpejtuar.
Lexo edhe: Nga Nishani te Imami, demokratët që kërkojnë largimin e Lulzim Bashës
Sakaq, nuk dihet nëse Basha do të ketë sot një tjetër komunikim publik. Burime nga selia e PD ende nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.
Dalja e vetme e Bashës ishte ditën e djeshme, i cili deklaroi se nuk do t’i njihnin këto zgjedhje duke pretenduar parregullsi dhe shit-blerje votash, megjithatë nuk mohoi futjen e demokratëve në Parlament. g.v/abcnews.al