Kristiano Ronaldo e festoi me dy gola Topin e Artë të “Frans Futbollit”

schedule13:35 - 10 Dhjetor, 2017

schedule 13:35 - 10 Dhjetor, 2017

Kristiano Ronaldo e festoi në mënyrën më të mirë fitoren e Topit të Artë. Ylli i Realit shënoi dy herë në ndeshjen e fundit të ligës spanjolle, ndërsa ka një mendim shumë të lartë për veten.

Duhej ngritur një dolli për suksesin e shënuar.
Kristiano Ronaldo ia doli ta kthente në ditë feste, ndeshjen ndaj Seviljes në ligën spanjolle, menjëherë pasi në Paris fitoi Topin e Artë të “Frans Futbollit”.
Ylli portugez shënoi dy gola, diçka që nuk i ndodhte prej kohësh në kampionat, i ndihmuar padyshim edhe nga shokët, që ishin gjithashtu të lumtur për suksesin e tij.
Një Ronaldo në krizë goli do të thotë një Real më i dobët, ndërsa nëse ai është në formë, pretendimet për titullin janë më serioze.

Suksesi 5-0 ndaj Seviljes bëri që skuadra e trajnerit Zidan të paktën të mos mbetej më prapa kryesueses Barcelona, si dhe të rregullonte ndjeshëm golaverazhin, përveçse moralin.
Ronaldo, tashmë 32-vjeçar, nuk e mbylli ndeshjen, por kjo nuk do të thotë se ai ka ndonjë dyshim për veten.
Ja si foli ai për “Frans Futbollit”, pas fitimit të Topit të Artë.

Ronaldo: “Unë nuk kam parë ndonjëherë ndonjë lojtar më të mirë sesa unë. Kështu kam besuar gjithnjë. Asnjë futbollist në botë nuk mund të bëjë ato që bëj unë. Nuk ka lojtar më të kompletuar sesa unë. Luaj mirë me të dyja këmbët, jam i shpejtë, i fuqishëm, i zoti në gjuajtjet me kokë, shënoj gola dhe jap asiste. Ka njerëz që pëlqejnë Nejmarin apo Mesin, por unë po ju them se nuk ka asnjë më të kompletuar se unë”.

Ronaldo, natyrisht, nuk është i pari kampion që mendon kështu për veten.
Flojd Mejuedhër apo Mohamed Ali kanë menduar po kështu, ndonëse gjykimin përfundimtar e jep vetëm koha dhe opinioni i përgjithshëm.
Pavarësisht nga golat e shumtë dhe rekordet, ende besohet se Pele apo Maradona janë më të mirët e historisë, e ndoshta Mesi mund t’u afrohet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!