Kristal Abazaj tek Anderlecht

schedule10:29 - 17 Prill, 2018

schedule 10:29 - 17 Prill, 2018

Skënderbeu është fituesi më i madh i transferimit të Kristal Abazajt tek Anderlecht në Belgjikë. Gjithsesi, klubi korçar do të kishte fituar shumë më tepër nëse nuk do të ishte dënuar nga UEFA.

Nga Tropoja në Bruksel. Nuk është ndonjë emigrant, as ndonjë azilant politik si ata të pas vitit 1997, por njëri nga talentet më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, sot për sot, Kristal Abazaj.

Futbollisti i thirrur së fundmi në kombëtare nga trajneri Panuçi, e shfrytëzoi maksimalisht emrin që krijoi këtë sezon, duke u transferuar te klubi më i madh i Belgjikës, Anderlecht.

Sulmuesi 21-vjeçar mësohet se firmosi një kontratë 3-vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për dy sezone të tjera, ndërsa besohet se për kartonin e tij u paguan 750 000 euro.

Aventura e tij belge nis në verë, ndërsa deri në fund të sezonit do të vazhdojë të luajë për Luftëtarin. Gjithsesi, kartoni i tij u ble nga Skënderbeu që në Janar pasi paguan 200 000 euro, me gjirokastritët që mësohet se mbajtën 25 për qind të vlerës, ndaj edhe pjesën më të madhe të të ardhurave do t’i marrë klubi korçar.

Nuk dihet se cila do të jetë pjesa për menaxherët ndërmjetës, por nëse 750 000 eurot ndahen sipas akordit të dy klubeve shqiptarë, Skënderbeut i takojnë mbi 560 000 euro, e Luftëtarit mbi 180 000.

Abazaj bëhet kështu një nga ato raste të veçantë, kur largohet nga ekipi, konkretisht nga Skënderbeu, pa qenë asnjë ditë lojtar i tij.
Besohet se presidenti Takaj u detyrua të ndryshonte planet për shkak të përjashtimit të klubit të tij për 10 vjet nga kupat europiane, pasi fillimisht u mendua se Abazaj do të luante në Champions dhe pastaj do të transferohej.

Padyshim që Skënderbeu doli me humbje nga ky operacion, edhe pse fitoi jo pak. Në kushte normale, me ekipin në Champions dhe me një paraqitje të mirë, kartoni i tropojanit mund të arrinte në mbi 1 milionë euro, ndërsa tani u veprua në kushtet e urgjencës.

Abazaj, nga ana e tij, arriti një sukses të madh në karrierë, duke kaluar në skuadrën më të shquar të Belgjikës që në moshën 21-vjeçare.
Belgët u bindën nga paraqitjet e tij, nga golat dhe pasimet për gol, ndërsa patën edhe konkurrencë nga ekipe të tjerë si Gallatasaraji apo Viteshe e Holandës. Për Luftëtarin këtë sezon, sulmuesi shënoi 9 gola në 21 ndeshje, duke qenë padyshim një nga lojtarët më të mirë të Superligës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!