Pak ditë na ndajnë nga festa e Krishtilindjeve, por për besimtarët katolikë përveçse përgatitja e dhuratave dhe e ushqimeve, rëndësi të veçantë ze rrëfimi. ABC News sjell një kronikë se si besimtarët kanë nisur të rrëfehen në vendet e tyre të besimit.
Krishtlindja nuk është vetëm festë ku tryeza duhet të jetë plot, por edhe shpirti. Rrëfimi është domëthenës në jetën e një besimtari katolik. E sidomos në periudhen e Krishtlindjes.
Besimtari: “Rrëfimi është një pastrim i ndërgjegjes ose i veprave të këqija. Para Zotit duhet të rrëfejmë mëkatet që kemi bërë për ti falur Zoti.”
Por përveç besimtarëve edhe për vetë klerikët është një përvojë e rëndësishme qëndrimi në dhomën e rrëfimit dhe dhënia e sakramentit të rrëfimit për besimtarët.
Dom Vlash Palaj, Famullitar i Shkodrës: “Është një vend i një mirësie të jashtëzakonshme, sidomos edhe për ne sepse ka njerëz që janë të shënuar nga një mirësi shpirtërore që menjëherë duket se nxjerrin në pah krejt vetëveten. Kërkojnë një liri të madhe që dëshirojnë të jenë në paqe me Zotin. Me veten dhe me të tjerët.”
Të rinjtë e Famullisë së Shkodrës kujdesen që çdo kush të ketë mundësi të festojë Krishlindjen. Në një stendë përballë Katedrales së Shkodrës, ka disa ditë që grumbullojnë ndihma për më të varfërit.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Shkodrës që kanë mundësi, të dhurojnë sado pak, sepse në këtë Krishtlindje mund të jemi gjithkush prej nesh mrekullia e dikujt.”
“Është diçka e bukur kur shikon njerëzit duke dhuruar, sepse edhe ata sensibilizohen dhe në ndërgjegjen e tyre.”
Krishtlindja përjetohet në forma të ndryshme nga qytetarët, të cilët përveç anës materiale kërkojnë edhe mirësine dhe paqen shpirtërore./abcnews.al