Krimet elektorale: “Treni bullgar” i zgjedhjeve ballkanike

schedule20:22 - 23 Dhjetor, 2020

schedule 20:22 - 23 Dhjetor, 2020

Nga Linda Karadaku

Pjesa më e madhe e vendeve ballkanike kanë mbajtur tashmë zgjedhjet e përgjithshme, përfshi Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Shqipëria është e fundmja ndër vendet e rajonit që pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në prill të vitit 2021. Ndërkohë që pritet të ndizen motorët e fushatës edhe pse në kohë pandemie, gjë që nuk lejon grumbullime të mëdha njerëzish, politika në Tiranë ka vendosur të bëjë një hap para, duke rënë dakord për të penalizuar seriozisht këtë herë krimet zgjedhore. 5 muaj para zgjedhjeve, Komisioni i Ligjeve ka miratuar kalimin e kompetencave të reja për krimet zgjedhore tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Kjo do të thotë se tashmë SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të hetojnë dhe gjykojnë krimet zgjedhore.

“Po në fakt në një vepër penale, korrupsioni ka dy palë, një që jep dhe një që merr” tha Ulsi Manja. Ndërsa Arben Kraja tha se “Nuk mund të ketë të ndarë aktivin me pasivin, të dy shkojnë me njëri tjetrin, është e pamundur t’i ndash”.  Vendet e tjera të rajonit kanë përvojat dhe problematikat e tyre që lidhen me krimet zgjedhore, që nga I ashtuquajturi “treni bullgar”, një mënyrë kjo e manipulimit të votës, deri tek mbushja e kutive të votimit.

“Në Maqedoni si institucion përgjegjës për zbatimin e procesit zgjedhor është komisioni shtetëror zgjedhor, që përbëhet nga anëtarë që zgjidhen me konsensus me opozitën, ndërsa komisionet lokale janë të përbërë nga njerëz të punësuar në administratë. Ka pasur raste ku edhe komisionerë të zgjedhjeve janë dënuar apo gjobitur për prishje të procesit zgjedhor, që ka ndikuar të rritet disiplina më shumë.

Që nga 2008 formohet komision i veçantë për zgjedhjet, që nga nisja e fushatës, te raportet financiare të partive. Cdo indicie për shkelje, është një alarm për prokurorinë publike për të investiguar shkeljet e mundshme. Nuk është se kjo prokurori është treguar aq e suksesshme. Por ka organizata dhe partitë që grumbullojnë dëshmi, të gjitha këto nën presionin e opinionit shpesh merren parasysh për ngritje padish apo përsëritje të zgjedhjeve në vendvotime të caktuara” tha  Xhelal Zeziri, analist, gazetar, Shkup.

Maqedonia e Veriut, ku u përdor për herë të parë në vendet fqinje modeli i “trenit bullgar”, ka një ligj për financimin e partive politike që daton që nga viti 2004, me amendimet e fundit të bëra në vitin 2018. Problem më i madh në këtë vend ka qenë financimi përmes burimeve të panjohura, të ashtuquajturat “valixhja e zezë”.

“Kodi penal i Maqedonisë ka një kapitull të vecantë që parasheh që për cdo shkelje të procesit zgjedhor, shkelësit mund të dënohen deri në 10 vite burg. Nga zgjedhjet e 2008 kemi ndryshim të Kodit Penal që janë rritur dënimet, gjobat për të gjithë shkelësit. Nga ai moment Maqedonia ka zbatuar zgjedhje korrekte dhe demokratike, pa shkelje të dukshme të këtij procesi dhe pa shkelje të këtyre neneve.

Si shkelje më të zakonshme, kemi pasur mbushje të kutive, përdorimin e “trenit bullgar”, ku një fletëvotim jepet pa votuar dhe i njëjti votohet në selitë dhe shtabet partiake dhe hidhet, ndërkohë që fleta e pastër dorëzohet te shtabi partiak. Mund të them se shkeljet e rënda si mbushja e kutive, kërcënimi i votuesit, korruptimi klasik, dhënia e ryshfetit janë çrrënjosur, për këtë ka ndikim ky ndryshim në Kodin Penal” tha  Xhelal Zeziri, analist, gazetar, Shkup.

Në Kosovë, mangësitë e legjislacionit elektoral, të trashëguara që nga administrata e UNMIK-ut, janë evidente dhe mund të jenë pengesë dhe burim problem për çfarëdo procesi elektoral.

“Kosova gjatë vitit 2010 u ballafaqua me një proces të manipulimit. Si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe vendorëve, Kuvendi miratoi Kodin Penal me një kapitull të veçantë për manipulimet në zgjedhjet. Mund të dënohesh deri në 5 vite burgim. Për dallim nga 2010 zgjedhjet që pasuan në Kosovë kanë qenë shumë më të sigurta. Një rol të jashtëzakonshëm ka luajtur edhe prokurori i shtetit, që angazhonte 100 prokurorë në terren nëse qytetarët apo partitë politike mund të bien në kundërshtim me Kodin Penal“ tha Ehat Miftaraj, instituti i Kosovës për drejtësi, Prishtinë.

Përmbyllja e një reforme zgjedhore, e cila shtyhet edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së qeverive dhe legjislaturave dhe një sistem zgjedhor që u mundëson partive të provokojnë shpesh zgjedhje të jashtëzakonshme, janë vetëm pjesë e problemeve që Kosova ka me zgjedhjet.

“Në vitin 2010 kemi pasur me mijëra raste për manipulime, në vitet pas mund të themi që ka pasur ulje drastike të keqpërdorimeve të procesit zgjedhor. Në zgjedhjet e fundit, 2019 numri i keqpërdorimeve ka rënë, më pak se 20 persona. Kemi pasur një ulje kaq drastike për shkak të ndryshimeve ligjore dhe vullnetit politik” tha Ehat Miftaraj.

Në Serbi, Rasha Nedelkov, drejtor I Programit të Qendrës për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjshmëri, beson se ndryshimet në ligj të cilat synojnë penalizimin edhe më të ashpër të krimeve zgjedhore, nuk janë të mjaftueshme.

Ai thotë se amendimet në ligj për të precizuar edhe më shumë përcaktimin e kostos së fushatës zgjedhore, ndalimin ne përdorimit të fondeve publike, futjen e afateve të shkurtuara për agjencinë anti-korrupsion për të vepruar lidhur me raportimet gjatë fushatës zgjedhore, janë ndryshime të rëndësishme, por megjithatë, krimi zgjedhor nuk është përcaktuar si duhet në ligj. Përvec kësaj, zyra e prokurorit nuk ka treguar shumë interes në ndjekjen e krimeve në rastet kur autorët janë parti politike apo persona të lidhur me ta.

Në Mal të Zi, ekziston një ligj për financimin e entiteve politike dhe fushatat zgjedhore, që daton që nga viti 2014 ndërsa amendimi i fundit i ligjit është bërë një vit më parë.  Ligji detyron partitë që të raportojnë të gjitha shpenzimet e fushatës dhe ka penalitete për fshehjen e kostove. Në Podgoricë, prokuroria është marrë me çështje që kishin të bënin me keqpërdorimin e fondeve publike për qëllime elektorale. Prokuroria megjithatë ka tani më shumë hapësirë për të proceduar krimet elektorale.

“Në lidhje me këtë cështje edhe në Mal të Zi kemi dukuri që kanë qenë të pranishme si në zgjedhjet e kaluara por edhe në 30 gusht të këtij viti, keqpërdorime duke blerë votën, duke ofruar vende pune dhe bërë investime të ndryshme në infrastrukturë. Të gjitha partitë që kanë pasur mundësi, por në vecanti ka qenë më e pranishme te partia në pushtet, partia e Presidentit Milo Gjukanovic. Ekzistojnë video dhe audio që dëshmojnë keqpërdorimin e votës.

Në Mal të Zi ka të dhëna të mjaftueshme, por në këtë aspekt nuk ka reaguar prokuroria. Para dy viteve një bashkëpunëtor i Presidentit  Gjukanovic është incizuar duke marrë 100 mijë euro nga një biznesmen i Malit të Zi, që është në akuzë dhe ndodhet në Londër, por deri tani nuk ka ndonjë rezultat konkret” tha Nail Draga, analist, Ulqin.

Parregullsitë, problemet dhe tensionet para, gjatë dhe pas zgjedhjeve në vendet e Ballkanit janë të ngjashme, që nga cështje që lidhen me financimin e partive politike, puna sipërfaqësore e agjencive ligj-zbatuese, mungesa e reagimeve reale dhe serioze nga prokuroria apo ndryshimet në ligjet zgjedhore pa konsensus të gjerë politik.

Por sido që të jetë, presioni i publikut dhe votuesve ka bërë që ndryshimet, edhe pse të ngadalta, sfilitëse dhe me kosto, të ndodhin, duke dhënë shpresë se këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian edhe me mënyrën sesi organizojnë dhe zhvillojnë zgjedhjet, sesi nxjerrin rezultatin zgjedhor dhe sesi respektojnë vullnetin e qytetarëve të vet. Modelet perëndimore janë të qarta dhe bazohen në atë që quhet integritet i një procesi zgjedhor./ db/Abcnews.al