Mëngjesin e sotëm në “Abc-ja e mëngjesit” u diskutuan ngjarjet e rënda që tronditën vendin ditët e fundit, ku të ftuar ishin gazetarja e kronikës së zezë në ABC, Glidona Daci, psikologjia Arjana Muça dhe juristi Ledio Braho.
Ky i fundit duke komentuar ngjarjen e mëngjesit të 1 Janarit, ku Klajdi Shundi qëlloi për vdekje kunatin e tij Vladimir Zvezhda, u shpreh se brezat e rinj duhet të edukohen me frymën e ligjit për mbrojtjen e dhunës në familje.
“Ligji për dhunën në familje e ka parashikuar edukimin e brezave të rinj në lidhje me këto aspekte si një nga çështjet kryesore me të cilët duhet të merren autoritetet përgjegjëse. Nuk është një rast që mund të ishte parandaluar nga policia, pavarësisht se fëmijët e viktimës e kanë gjetur shpëtimin tek daja, normalisht shpëtimi duhet të ishte gjetur tek policia e shtetit.
Duhet të reagojë në atë mënyrë që të telefonojë autoritetet në rastin e një konflikti në familje dhe jo të marrë një familjar tjetër de ta përfshijë. Prandaj këtu nis edukimi, këtu ka dështuar shteti që t’i edukojë ata se çfarë qasje të kenë ndaj një situatë të tillë në familje. Pikërisht me një qasje të tillë erdhi dhe kjo pasojë e rëndë. Nëse do të ishin marrë masat për edukimin e këtyre fëmijëve, situata nuk do të ishte e tillë.”, u shpreh Braho.
Ndërsa psikologia u shpreh: “Ne agresivitetin e kemi të brendshëm, Frojdi thotë e kemi të lindur dhe në momentin që ne gjejmë terren e zhvillojmë. Dhe mënyra sesi e zhvillojmë varet sesi rritemi, edukohemi, si na serviret. Në momentin që e kemi shumë të zhvilluar atë të jemi të bindur se mund të jemi të dhunshëm si individ, mund të godasim vëllain, motrën pa problem, por kemi dhe raste ku viktima është prindi.
Kjo vjen për faktin se rrethi shoqëror në të cilin jemi rritur nuk është vetëm familja. Të gjithë këto faktorë bën që ky agresiviteti jonë bën të mbetet brenda limiteve dhe të kemi mundësi ta kontrollojmë ose të dalim jashtë atij limiti që bëhet i pakontrollueshëm në situata të caktuara.“, u shpreh psikologia. /abcnews.al