Artur Zoto, ish-drejtori i Përgjithshëm i burgjeve i akuzuar për “korrupsion” hoqi dorë nga thirrja si dëshmitar e ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai kërkoi edhe lirim nga qelia, kërkesë që u refuzua nga gjykata. Në procesin paralel tek Krimet e Rënda, ish-zëvendësi i Zotos, Iliaz Labi rikonfirmoi akuzat ndaj tij.
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, nuk do të thirret si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj ish-kreut të Burgjeve, Artur Zoto, në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ish-zyrtari i lartë i burgjeve hoqi dorë nga marrja si provë e dëshmisë së Manjanit, pretendim që u pranua nga gjykata. Por trupi gjykues nuk mbajti të njëjtim qëndrim kur i pandehuri Zoto, i akuzuar për “korrupsion” kërkoi të lirohej nga qelitë e paraburgimit. Kërkesa për zëvendësim të masës “arrest në burg” me një masë më të butë u refuzua.
Në seancën e të enjtes gjykata administroi provat shkresore të prokurorisë, mes të cilave dokumentacioni i tenderit të dyshuar si korruptiv të 31 majit 2016, si edhe procesverbale të vëzhgimeve ambientale e përgjimeve telefonike të pesë të bashkëpandehurve të Zotos, që gjykohen në një proces të veçuar. Prokurorja theksoi se në bisedat e përgjuara nuk ka komunikime të të pandehurit Zoto.
Ndërkohë, disa orë me herët, në seancën e radhës të procesit të veccuar ku gjykohet ish-zv.drejtori i burgjeve, Iliaz Labi dhe katër biznesmenë, i akuzuari Labi ripërsëriti akuzat ndaj Zotot. Në statusin e bashkëpunëntorit të drejtësisë, ai dëshmoi në seancë duke theksuar se kishte marrë një shumë prej 2 milionë lekësh të rinj për llogari të një tenderi, shumë që ia ka dorëzuar ish-eprorit të tij Zoto. Dëshmia e tij është bërë shkak për një përballje të re mes tij dhe Artur Zotos. Ish-drejtori i burgjeve është kërkuar si dëshmitar nga i pandehuri Ylber Kalaja, kërkesë që është pranuar nga trupi gjykues.
Në 15 nëntor Labi u dëshmoi në gjyqin e Zotos, ku pretendoi se kishte bërë korrierin e një rryshfeti prej 2 milionë lekë për një tender të paracaktuar. Akuzat në fjalë u mohuan kategorikisht nga Zoto, i cili këmbëngul në faktin se nuk ka konsumuar akuzën dhe se është i pafajshëm./abcnews.al