Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur një hetim për rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe dekanin e Ekonomikut, Dhori Kule. Dy akademiket, dikur miq me njëri-tjetrin, por të përplasur publikisht muajt e fundit, dyshohen për dy vepra penale.
Procesi penal ndaj Emiliano Shullazit, u bë shkak për thirrjen tek Krimet e Rënda të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni dhe dekanit të Ekonomikut, Dhori Kule,
Por duket se kjo nuk shënon vizitën e tyre të fundit në këtë institucion. Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur një hetim ndaj rektorit Koni dhe dekanit Kule për akuzën e “korrupsionit” dhe të “shpërdorimit të detyrës”.
Ky hetim bazohet në kallëzime që hedhin dyshime për abuzime të kryera gjatë procedurave tenderuese të kryera respektivisht nga njëri tjetri gjatë drejtimit të rektoratit, si edhe administrimit të fondeve të uniersitetit.
Procedimi penal është regjistruar ditët e fundit, ndërkohë që kanë filluar veprimet e para verifikuese, duke sekuestruar disa dokumente. Në varësi të të dhënave të përfituara pritet të vendoset në lidhje me pyetjen e Konit dhe Kules, apo personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethana të çështjeve për të cilat ata do të hetohen.
Ky hetim ndaj dy akademikëve dikur miq me njëri-tjetrin vjen pas një përplasjeje publike mes tyre të shënuar pak muaj më parë në qarqet universitare.
Ata lëshuan akuza dhe kundër-akuza, ku përmes një letre derguar ministres së Arsimit, të firmosur nga katër dekanë, mes të cilëve edhe Dhori Kule, kërkohej shkarkimi i Konit nga kreu i Rektoratit. /abcnews.al