Krime kundër njerëzimit, 5 gra nga Kongo hedhin në gjyq Belgjikën

schedule15:57 - 15 Tetor, 2021

schedule 15:57 - 15 Tetor, 2021

Pesë gra kanë hedhur në gjyq shtetin belg për krime kundër njerëzimit. Të lindura në Kongo nga nëna kongoleze dhe baballarë belgë, gjatë periudhës koloniale, ato më pas u rrëmbyen dhe u dërguan me forcë ne Europë. Atje u braktisën në institucione fetare apo në familje adoptuese.  Objektivi i tyre është që Brukseli të pranojë përgjegjësinë në vuajtjen e shkaktuar tek mijëra fëmijë me origjinë të dyfishtë.

Një prej tyre tregon se problemi kryesor ishte se ato konsideroheshin si fëmijë të shtetit. Një nënë nuk e kishte këtë të drejtë, por ishte shteti ai që mund të bënte c’të donte. Gratë aktualisht janë 70 vjeç, dhe tregojnë se janë dorëzuar në disa misione katolike ku u trajtuan si rezultat i një mëkati. Ish kryeministri belg Sharls Mishel,tashmë president i Këshillit Europian, kërkoi falje në emër të qeverisë federale belge, për vuajtjen e tyre.

Por kjo nuk mjafton, pasi këta fëmijë u braktisën kur belgët u arratisën nga luftimet që pasuan deklaratën për pavarësi të Kongos. Policia e cila duhej t’i mbronte, abuzonte seksualisht në mënyrë të vazhdueshme. Pesë gratë duan të tregojnë se plagët e tyre nuk janë mbyllur asnjëherë. Nuk duan para por duan që shteti të pranojë dëmin që i ka shkaktuar mijëra fëmijëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!