Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Krimbi i misrit dëmton të mbjellat/ Preken rreth 50 hektarë në Korçë, fermerët: Humbje të mëdha

schedule12:45 - 29 Qershor, 2026

schedule 12:45 - 29 Qershor, 2026

Rreth 50 hektarë tokë të mbjellë me misër në zonën e Drithasit, në fushën e Korçës, janë prekur nga krimbi i misrit, që sulmon rrënjët e bimës dhe shkakton dëme të pakthyeshme në prodhim. Sipas specialistëve të bujqësisë, shkalla mesatare e dëmit arrin në rreth 30 për qind, ndërsa në parcela të veçanta humbjet janë shumë më të mëdha.

Specialisti i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë e Maliqit, Aurel Zenullari, në një prononcim jashtë kamerës sqaron se kjo është një vatër që shfaqet mesatarisht një herë në katër vjet. Sipas tij, fermerët duhet të mbajnë nën vëzhgim kulturat, pasi larva shndërrohet në flutur dhe më pas dëmton edhe xhufkën e misrit. Luftimi i insektit rekomandohet të kryhet me spërkatje përmes dronëve, me një kosto prej rreth 650 lekësh për dynym.

Fermerja Bike Ymeri thotë se këtë vit nuk pret të marrë asnjë prodhim nga 16 dynymët e mbjellë me misër. Sipas saj, dëmtimi erdhi pas përmbytjeve të dimrit dhe pranverës, ndërsa të gjitha ndërhyrjet me insekticide kanë rezultuar të pasuksesshme.



Edhe fermeri Petrit Ymeri flet për humbje të mëdha. Ai ka të mbjella 9 hektarë me misër dhe llogarit se dëmi ekonomik arrin deri në 14 milion lekë. Sipas tij, përmbytjet e vitit të kaluar e mbajtën tokën për një kohë të gjatë nën ujë, duke krijuar kushte për zhvillimin e insektit që dëmton rrënjët e bimës.

Specialistët e bujqësisë dhe të mbrojtjes së bimëve kanë kryer inspektime në terren dhe kanë marrë mostra për analizë, me qëllim përcaktimin e shkallës së dëmtimit dhe rrezikut të përhapjes në sipërfaqe të tjera.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!