Krijohet impianti i parë me panele diellore në Tiranë

schedule14:55 - 3 Gusht, 2018

schedule 14:55 - 3 Gusht, 2018

Ndërsa qeveria pritet të shpallë tenderin ndërkombëtar për të ndërtuar parkun më të madh diellor në rajon, në Tiranë është krijuar impianti i parë me panele diellore. Kryebashkiaku, Erion Veliaj, apeloi që kjo praktikë që kursen energji të ndiqet nga familjet dhe bizneset.

Në Tiranë ka nisur zbatimi i projektit për tarracat me panele fotovoltaike, të cilat jo vetëm që prodhojnë energji të pastër, por njëkohësisht ulin edhe kostot. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, inspektoi impiantin e parë për prodhimin e energjisë elektrike me panele fotovoltaike në godinën e një banke të nivelit të dytë.

“Ky investim është baraz me 350 pemë të mbjella dhe kursen 15 ton dioksid karboni. Imagjinoni çfarë klime do të kishte Tirana sikur secila nga 5000 tarracat e Tiranës të shtonte 300 e ca pemë dhe të kursente 15 ton dioksid karboni në ajër”.

Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës po konsideron mundësinë e zbatimit të projektit të impianteve të paneleve diellore dhe në shumë prej tarracave apo hapësirat publike për të përfituar energji të pastër.

“Sot kemi një dallëndyshe të parë të diçkaje që mund të kthehet në një revolucion për Tiranën. Jemi duke konsideruar se si edhe në zona të tjera të qytetit, edhe Bashkia të përfshihet aktivisht, qoftë me sheshin “Skënderbej”, me disa nga tarracat publike, ashtu siç kemi bërë me tarracën e gjelbër të Bashkisë, qoftë me liqenin e Bovillës, për të zbatuar edhe aty ato që quhen panele lundruese; pra, duke përdorur tarracat, hapësirat ujore, siç janë liqenet, të cilat janë vende ideale ku mund të marrim energji të pastër, pa zënë më shumë hapësirë në territor”.

Duke e cilësuar si mënyrën më të mirë për të siguruar energji, kryebashkiaku Veliaj bëri thirrje që ky shembull të ndiqet jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga bizneset dhe familjarët pasi investime të tilla reduktojnë ndjeshëm faturën e energjisë elektrike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!