Aleatët e udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse, Aleksei Navalny, bëjnë me dije se gjatë qëndrimit të tij në burg ai ka humbur 8 kilogramë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ato kanë theksuar se në fillim kur ai është burgosur ishte 93 kg, ndërsa tashmë ka shkuar në 85 kg. Sipas ekipit të tij ndikim për këtë ka regjimi I tij, pasi nuk bën mjaftueshëm gjumin, rojet e zgjojnë 8 herë gjatë natës.
Ndërkohë më 31 mars Navalny ka hyrë në grevë urie, duke thënë se zyrtarët e burgut nuk i ofrojnë kujdes mjekësor dhe nuk e lënë të flejë.
Ai është ankuar për dhimbje akute në shpinë dhe mpirje në këmbë. Navalny, 44 vjeç, aktualisht ndodhet në Koloninë Korrektuese Nr. 2, që njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi.
Ai është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.
Navalny është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok. Ai ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Kremlini.
Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navalny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve. Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg./abcnews.al