Në Mal të Zi mbahen sot zgjedhjet për parlamentin e ri. Në zgjedhjet e sotme garojnë Partia Social Demokrate dhe ajo pro-serbe Fronti Demokratik. Po ashtu edhe partitë shqiptare garojnë në dy koalicione.
Në një intervistë për Abc News me gazetaren Mirela Milori, Nikollë Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare, të cilët janë në koalicion me Milo Gjukanoviç, foli për situatën e sotshme.
Camaj, u shpreh mes të tjerash se nuk beson që Gjukanoviç do të jetë humbës në këto zgjedhje, megjithatë nuk përjashton një rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Unë nuk mendoj se do të jetë humbës se pala tjetër do të ketë mundësi të bëjë diçka të madhe. Ndonëse ka gjasa që mund të ketë një rënie në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Blloku pro evropian që do bashkëjetesën këtu është më i fortë se blloku kundër integrimeve. Ne në 2006 kemi dhënë kontributin maksimal për pavarësinë e Malit të Zi dhe mendoj se pozicioni ynë është i padiskutueshëm”, u shpreh ai.
Më tej, Camaj shtoi se presim të marrin dy deputetë.
“Ligji dhe numrat mundësojnë tre. Por ne dimë që numër i votuesve shqiptarë akoma vazhdojnë të votojnë shqiptarët në ‘listat qytetare’ që ne i quajmë votat e humbura. Ne realisht presim dy deputetë. Por sidoqë të jetë dy deputetë do të jenë vendimtarë edhe për formimin e qeverisë së ardhshme”, deklaroi ai.
Camaj tha se votat e shqiptarëve shkojnë edhe për “listën qytetare”, të cilat ai i konsideron si vota të humbura. Kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare foli kështu edhe për Dritan Abazovic, i cili është i vetmi shqiptar në “listën qytetare”.
“Dritan Abazovic ka kohë që vepron me një platformë të tij politike. Është i arsyeshëm një revoltë qytetare, por për ne si shqiptarë nuk është e arsyeshme që ta mbështesim atë forcë edhe pse është një shqiptar atje. Unë mendoj se vota shqiptare nuk do ishte mirë të përfundojë te Dritani, apo të tjerë se janë vota të humbura”, theksoi ai. /abcnews.al