Kreu i komunitetit të shqiptarëve në Ukrainë, Aleksandër Dermetli dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku tregoi se çfarë po ndodh me shqiptarët që jetojnë atje. Ai tha se shqiptarët janë zhvendosur në disa fshatra pranë Odessës ku situata është e qetë.
Dermetli tregoi se janë rreth 5 mijë shqiptarë që jetojnë në Ukrainë dhe se nuk janë larguar nga vendi. I pyetur për mundësinë e largimit, ai tha se janë në bisedime me ministrinë e Jashtme të Ukrainës. “Shqiptarët jetojnë në dy zona, në Zaporizhzhia dhe Odessa. Në zonën e Zaporizhzhias ka luftë, janë të bllokuar.
Ka një fshat në zonën e Odessës ku situata është më e mirë. Ku jetojmë ne jemi larg zonës së konfliktit. Shumë shqiptarë nga Odessa kanë ikur në një fshat. Në Zaporizhzhia situata është keq. Po bisedojmë me ministrinë e Jashtme të Ukrainës kur të hapen korridoret humanitare.”, tha ai. /abcnews.al