Kreu i KLP-së: Gara për kryeprokurorin hapet në 19 Mars

schedule14:40 - 1 Shkurt, 2019

schedule 14:40 - 1 Shkurt, 2019

Në datë 19 Mars, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të hapë garën për Prokurorin e Përgjithshëm. Sipas kreut të KLP-së, brenda Qershorit vendi do të ketë gati edhe SPAK.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka caktuar një datë fikse për hapjen e garës për emrin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat që do të zëvendësojë të përkohshmen Arta Marku.

“Gara për Prokurorin e Përgjithshëm do të hapet me 19 Mars. Ligji na jep tre muaj kohë për të përgatitur rregulloren dhe metodën e vlerësimit të kandidatëve. Në këtë mënyrë ne po marrim kohën që na ka dhënë ligji. Tre muaj pas konstituimit”, tha kreu i KLP-së.

Por përveç kryeprokurorit të ri, Ibrahimi dha një afat edhe për formimin e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK.

“Të dyja do ndodhin rreth Qershorit besoj. Këto janë llogaritë tona”, tha ai.

Kreu i KLP-së bëri përgjegjëse qeverinë vonesën në miratimin e ligjit që do të mundësonte ngritjen e strukturës që heton disiplinarisht prokurorët, si edhe për mungesën e një godine për Këshillin.

Këshilli nuk i bën vetë hetimet për shkeljet disiplinore të prezumuara. Ato i bën Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucion që nuk ekziston ende. Mos merrni mundimin të vini tek KLP të kërkoni disiplinë për prokurorët. Është thjesht i pamundur për shkak të mungesës së ligjit dhe kjo është përgjegjësi e parlamentit. Politika duhet të mblidhet urgjentisht të miratojë ligjin. Është shumë e vonuar. Nëse politika nuk miraton ligjin nuk ka asnjë mënyrë për të disiplinuar prokurorët e korruptuar, prokurorët e paaftë”, u shpeh Ibrahimi.

Ibrahimi u shpreh besimplotë për shtim numrit të prokurorëve që do të kandidojnë për SPAK, bindje që e ndante edhe Luigi Soreka, ambasadori i BE në vend.

“Mendoj që nuk ka stepje kemi ende shtatë ditë kohë përpara kështu që aplikimet do vijnë duke u shtuar”, tha Ibrahimi.

 “Ne po e ndjekim këtë nga shumë afër, së bashku me kolegët tanë amerikanë gjithashtu, me Kryetarin e KLP-së, dhe e dimë që ka tashmë disa kandidatë dhe të tjerë do të vijnë javën tjetër”, u shpreh ambasadori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!