Thellohet konflikti për Kushtetuesen, Dvorani reagon ndaj Metës

schedule09:34 - 14 Nëntor, 2019

schedule 09:34 - 14 Nëntor, 2019

Ardian Dvorani Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ka reaguar mëngjesin e sotëm në lidhje me deklaratat e fundit të Presidentit Meta.

Dvorani thotë se thëniet e Presidentit janë të pavërteta dhe tërësisht të papërshtatshme për më tepër joetike. Gjuha e përdorur nga presidenti Meta, sipas Dvoranit nuk i përshtaten funksionarit kushtetues, dhe se qëndrimet e Metës, shprehin interesat e tij vetjake, dhe kanë natyrë joinstitucionale.

Sipas Dvoranit, Presidenti nuk ka zbatuar Kushtetutën, pasi neni neni 125 i saj përcakton se, anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës së paraqitur nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Reagimi i Plotë i Ardian Dvoranit: 

“Duke i vlerësuar jo vetëm si të pavërteta thëniet, por edhe si tërësisht të papërshtatshme në aspektin institucional dhe etik, jo vetëm qëndrimin, por edhe sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga Presidenti i Republikës, në raport me vendin, dinjitetin dhe prestigjin që i cakton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. 

Duke respektuar të drejtën dhe detyrimin që buron nga qënia funksionar kushtetues, në përbërje dhe drejtim të një organi kushtetues të pavarur, sipas të cilit, çdo organ kushtetues dhe çdo funksionar kushtetues është interpretuesi dhe zbatuesi i drejtpërdrejtë i Kushtetutës dhe ligjit, në mënyrën të pavarur dhe të pandikuar nga qëndrimi i institucioneve të tjera, aq më tepër nga interesat e një natyre joinstitucionale,

Duke pasur parasysh përcaktimet e qarta dhe vetë leximin e drejtpërdrejtë të dispozitave të Kushtetutës, aq më tepër të normave të saj që gjejnë zbatim në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe që në pajtim me të, rregullohen më hollësisht me ligj,

për momentin vlen të parashtrohet se:

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante.  Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Prandaj, ato janë të detyruar ti përmbahen listave të publikuara per sa i takon renditjes dhe përbërjes së tyre, në këtë rast të dërguara Presidentit dhe Kuvendit.

Neni 179 pika 2 e Kushtetutës ka për qëllim të përcaktojë  institucionin kushtetues që është  përgjegjës  për  plotësimin e një vakance të caktuar. Çdo  vakancë lidhet me një emërim, ashtu si çdo vakancë ka një mandat unik i cili i përket një momenti dhe nje organi të caktuar emërimi. Kjo dispozitë parashikon radhën për vakancën që duhet të plotesojë Presidenti, vakancën që duhet të plotesojë Kuvendi dhe vakancën që duhet të plotësojë  Gjykata e Lartë. 

Pra kjo dispozitë, nuk lidhet aspak me momentin se kur organi i emërtesës vendos për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit mes tre kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED.  Pra, nuk përcakton që, p.sh., në çdo rast vakanca e Presidentit duhet të plotesohet me ushtrimin e së drejtës së tij të zgjedhjes, përpara se të veprojnë organet e tjera të emërtesës.

Nëse vërtet ky do të ishte interpretimi dhe zbatimi i Kushtetutës, nëse vërtet organi i emërtesës që ka vakancën e parë  për të plotësuar, do të tregonte përgjegjshmëri, vullnet të mirë, integritet dhe koherencë deri në fund, përfshirë edhe respektimin e parimit të bashkëpunimit dhe luajalitetit kushtetues mes organeve të emërtesës, atëherë, do të ishin të shumta situatat, kur në mënyrë të qëllimtë apo për rrethana objektive, do të krijoheshin pashmangshmërisht situata bllokuese me emërimin dhe plotësimin me gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Pa qenë e nevojshme për shpjegim më të hollësishëm këtu nuk bën përjashtim as edhe rasti konkret. Por ky nuk është qëllimi, vullneti dhe kuptimi e interpretimi i dispozitave kushtetuese të miratuara nga kushtetutbërësi.

Prandaj, në kushtet kur sipas nenit 125 të Kushtetutës ka tre organe emërtese, neni 179 pika 2 e saj, e akoma më konkretisht dhe hollësisht neni 86 i ligjit nr.8577/2000, kanë përcaktuar vetëm radhën se kur secili organ emërtese ka të drejtën dhe detyrimin të shpallë vakancën, të dërgojë pranë KED listën e kandidatëve dhe të ushtrojë ose jo, brenda 30 ditëve nga paraqitja e Listës së KED, të drejtën e përzgjedhjen së kandidatit, vetëm ndërmjet tre emrave të renditur të parët në Listën e KED. 

Ndër të tjera Kushtetuta është e drejtpërdrejtë dhe nuk përcakton asnjë përjashtim: organi i emërtesës është i detyruar të përzgjedhë vetëm ndërmjet tre kandidatëve të listuar në tri vendet e para nga KED.

Pa asnjë përjashtim në raste dhe pa asnjë dallim mes organeve të emërtesës, përfshirë Presidentin,  Kushtetuta nuk i njeh asnjërit prej tyre “lirinë” për të emëruar përtej tri emrave të parë të renditur nga KED, e cila në thelb do të përbënte uzurpimin e kompetencës unike kushtetuese të renditjes së kandidatëve nga KED, i cili është organ kushtetues. 

Një nga motivet për të cilat me ndryshimet  kushtetuese të vitit 2016 u sanksionua në Kushtetutë kjo procedurë dhe ndarje kompetencash kushtetuese, ishte edhe heqja nga duart, interesat dhe humoret politike apo të çfarëdo natyre të institucioneve e mëparshme të emërtesës,  pra nga Presidenti dhe Kuvendi, të lirisë për të përzgjedhur gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas qasjeve të tyre individuale apo të grupimeve  të ndryshme të interesit që i përbënin apo i lidhnin interesat me këto organe. 

Pikërisht për këtë qëllim, duke pasur parasysh se si zgjidheshin gjyqtarët dhe se si bllokoheshin procedurat e emërimit sipas humoreve dhe interesave politike apo të natyrave të tjera, verifikimi i kandidatëve dhe renditja e tyre iu caktua një organi kushtetues të ri, të pavarur prej tyre dhe të përbërë vetëm nga gjyqtarë dhe prokurorë.

Tashmë organet e emërtesës duhet të zgjedhin vetëm njërin prej tre kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED. Madje këto organe duhet ta ushtrojnë këtë kompetencë brenda 30 ditëve, i cili, si afat prekliziv, nuk mund të zgjatet përtej këtij afati.

Nëse nuk e ushtrojnë kompetencën në këtë afat, kandidati i renditur i pari është gjyqtari i zgjedhur/emëruar. Kjo nuk është më çështje interpretimi, por e përcaktimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës.

Askush, nuk mund të shmanget nga respektimi dhe zbatimi i normave kushtetuese dhe i ligjeve të nxjerra në pajtim me të, pra edhe nga zbatimi procedurave dhe afateve të posaçme të ligjit të posaçëm, sikurse janë edhe nenet 7/b, 7/c dhe 7/ç të ligjit nr.8577/2000 .

Përvec kesaj, vlen të kujtohet se organet e emërtesës, Presidenti dhe Kuvendi, e zbatuan drejt Kushtetutën kur, për secilën  vakancë, sipas radhës që përcaktojnë normat e saj, i hapen procedurat e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave, me qëllim që të  identifikoheshin se cilët kandidatë konkurrojnë dhe  për cilat vakanca, duke identifikuar kështu edhe organin përkatës të emertesës.

Sic kërkohet  nga ligji, pasi u pranuan aplikimet, KED filloi punën për verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve. Për shkak të rrethanave të veçanta në të cilat gjendet Shqipëria,si rrjedhojë e zbatimit të reformës në drejtësi, rezultoi që të kishte të njëjtët kandidatë për disa vakanca.

Kushtetuta dhe ligji nuk e ndalon ushtrimin e kësaj të drejte. Për rrjedhojë, duke qenë se listat e kandidatëve i sjellin vetë organet e emërtesës, duke qenë se në to gjendeshin kandidatë njëkohësisht të kandiduar në disa lista, si edhe duke qenë se ligji zbatohet më mënyrë të barabartë dhe për të gjithë, si në procedurën e verifikimit, ashtu edhe në atë të vlerësimit e të renditjes që bazohet vetëm në aftësitë dhe meritat, në përfundim të procedurave të ndjekura, rezultoi që në Listat e Renditjes së kandidatëve të ketë përsëritje të listimit të tyre për secilën vakancë. 

Gjithsesi, me apo pa respektim të afatit të  30 ditor, edhe ky i detyrueshëm, asnjë organ emërtese, përfshirë edhe Presidentin e Republikës, nuk mund ti shmangen leximit dhe urdhërimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës, e cila, në nenin 125 pika 1 dhe nenin 149/d pika 1, përcaktojnë shprehimisht, pa i njohur askujt privilegjin tl shmangë ato, sa vijon:

Neni 125
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit⁹

 Neni 149/d

1. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kryen verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme, me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.

Përfundimisht, nëse i referohemi ligjit, në respekt të nenit 125 të Kushtetutës dhe të pikës 4 të nenit 7/b të ligjit nr. 8577/2000 (i ndryshuar), që kanë sanksionuar se:

“Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.”,  në rastin kur organi i emërtesës nuk arrin të zgjedhë apo nuk e ushtron të drejtën e zgjedhjes  brenda këtij afati, atëherë vendimi i KED për listën e renditjes së kandidatëve  ka efekt rë menjëhershëm ex legge, të njëjtë me dekretin e Presidentit, vendimin e Kuvendit apo vendimin e Gjykatës së Lartë për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

E  njëjta vlerë dhe efekt  duhet ti njihet edhe Vendimit me nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku kandidatja e renditur e para në Listën Përfundimtare, Znj. Arta Vorpsi, konsiderohet e emëruar si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ardian Dvorani
Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”./shkruan Dvorani në reagimin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!