“Krenare për Policinë tonë”, Musliu: Dëshirat e Vuçiçit për Kosovën kanë përfunduar në vitin 1999

schedule16:31 - 27 Shtator, 2023

schedule 16:31 - 27 Shtator, 2023

KOSOVË- Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e ftuar në “Ballkan Update” foli për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ajo tha se veprimet e Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me KFOR, ishin shumë profesionale dhe tregoi rezultate të larta.

“Suksesi që tregoi Polica e Kosovës me profesionalizëm, në veri, të koordinuar në mënyrë diplomatike dhe strategjike më faktorin ndërkombëtar, tregoi rezultate, për çka sot mund të themi se jemi krenarë për ata djem dhe vajza. Ata kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe mund të mbështetet Kosova lirshëm në profesionalizmin e tyre. Në asnjë formë e rrethanë, nuk guxojmë të anashkalojmë bashkëpunimin e faktorin ndërkombëtarë, pasi humbjet për Kosovën do ishin edhe më të mëdha. Po, koordinimi ishte i mirë dhe suksesi ishte i garantuar”, tha Musliu.

Ajo shtoi se Policia arriti të frenojë me sukses një sulm terrorist, i cili mund të kishte pasoja të mëdha për qytetarët e Kosovës.

“Policia e Kosovës  në mënyrë profesionale ka parandaluar një sulm terrorist, i cili do ishte i përmasave më të mëdha se ajo që ndodhi në veri të Kosovës”, shtoi deputetja.

Gjatë intervistës, deputetja e PDK-së u shpreh se dëshira e Vuçiç për ta pasur Kosovën nën trysninë e Serbisë ka përfunduar në vitin 1999, kur vendi fitoi çlirimin me ndihmën e NATO-s.

“Dëshirat e Vuçiçit për Kosovën kanë përfunduar në vitin 1999 dhe nuk është ai që e përcakton rendin dhe rregullin në Kosovë. Faktori ndërkombëtar duhet të reflektojë, sepse kanë kaluar 25 vite, kur ka përfunduar lufta dhe kjo gjendje që po mbretëron tash e 25 vjet ka filluar të bëhet e lodhshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe të serbëve që jetojnë në Kosovë. Duhet përfundimisht që t’i vihet një epilog veriut të Kosovës  dhe mos të vazhdojë edhe më tutje kjo status qou-së, dhe herë pas here kemi dhe sulme të tilla dhe po e kthejnë Kosovën pas dhe e kanë lidhur dhe nuk po e lënë zhvillimin e Kosovës të ecë përpara. Dua ta përshëndes faktorin ndërkombëtar për bashkëpunimin që kishin me Policinë e Kosovës”, theksoi ajo.

E pyetur për rolin që ka luajtur opozita në Kosovë, deputetja Musliu tha se në një kohë si kjo përpara interesit politik duhet patur si kryefjalë interesi kombëtar dhe sovraniteti i Kosovës.

Ajo shtoi se Presidentja e vendit duhet t’i kishte thirrur më herët në takim krerët e partive opozitare, por megjithatë , ajo e vlerësoi qëndrimin e tyre, në raport me gjendjen në veri.

“Opozita në Kosovë ka treguar pjekuri dhe maturi përgjatë këtyre ditëve. Faktori opozitar, ka treguar se para partive, e ka shtetin, sovranitetin dhe territorin e Kosovë. Kemi kërkuar bashkim të forcave politike për ruajtjen e sovranitetin. Takimet e zonjës Vjosa Osmani me krerët e partive, tani kanë ndodhur, por për mendimin tim mund të them se janë pak të vona. Partitë opozitare janë dashur të thirren menjëherë. Sot partitë opozitare janë në koordinim të plotë dhe nuk ka bërë opozitarizëm për atë që ka ndodhur me ngjarjen të dielën”, u shpreh Musliu/n.m.abcnews.al