“Krenar për investimet në veriun e Shqipërisë”/ Ambasadori britanik: Këtë vit gjysmë milioni turistë britanikë pritet t’ju vizitojnë

schedule20:09 - 18 Korrik, 2024

schedule 20:09 - 18 Korrik, 2024

Ambasadori britanik Alastair King Smith në emisionin “Real Story” në ABC News, komentoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Britanisë për emigracionin, marrëveshje e cila dhe rezultate pozitive.

Gjithashtu gjatë kësaj interviste, ambasadori britanik, foli edhe për projektet dhe periudhën në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve. Smith tha se vlerëson shumë investimet në veriun e Shqipërisë, pasi ka rezultuar me rëndësi të shumta punësimi.

Më tej theksoi se marrëveshja për emigrantët e paligjshëm dhe bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve ka sjellë edhe një ulje të numrit të emigrantëve.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Meqë ra fjala te Shqipëria, jo thjesht konservatorët, por veçanërisht kryeministri i fundit Rishi Sunak, pati një marrëdhënie shumë të mirë me Shqipërinë, u nënshkrua një marrëveshje mes dy vendeve ku ju keni qenë shumë aktiv sa i përket emigracionit dhe një marrëveshje që besoj edhe ju si diplomat duhet të jeni krenar sepse është nga ato marrëveshje që pati rezultat konkret në më pak se dy vjet, ku emigracioni i paligjshëm shqiptar është reduktuar në kuotat minimale, dhe ajo që shoh unë është që avionët që ikin nga Tirana drejt Londrës, janë plot por rikthehen sërish plot, pra duket që ka një farë normalizimi sa i përket lëvizjes së shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, falë kësaj marrëveshjeje, apo jo?

Ambasadori britanik Alastair King Smith: Ke shumë të drejtë Sokol, sepse siç po thoja, kam kaluar një periudhë fantastike në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve. Normalisht ka pasur ulje dhe ngritje, me disa momente të papritura që mbase i diskutojmë më vonë. Faktikisht mendoj se Komunikata e Përbashkët që kanë nënshkruar dy qeveritë dhe mënyra se si kemi përcaktuar kuadrin e marrëdhënieve tona, janë shumë të rëndësishme. Kemi arritur të përkthejmë një partneritet në miqësi të vërtetë, dhe mendoj që kjo miqësi tani po lulëzon. Faktikisht dje në darkë organizuam një aktivitet dhe po shqyrtonim progresin për një periudhë relativisht të shkurtër prej 18 muaj deri 2 vite, gjatë të cilës kemi intensifikuar shumë bashkëpunimin. Dhe tani shohim se ky bashkëpunim po rritet në mënyra praktike dhe po sjell rezultate reale. Një nga gjërat për të cilat jam më shumë krenar, është se gjatë tre viteve të fundit arritëm të përqendrohemi në veriun e Shqipërisë duke investuar për vendin dhe për të rinjtë, dhe jo vetëm me fjalë duke thënë se njerëzit janë të rëndësishëm, por duke ofruar aftësi praktike, mundësi punësimi, duke rritur bizneset dhe sipërmarrësit dhe duke parë se si të rinjtë kanë alternativa të ndryshme për të ardhmen. Për mua vizitat në veri dhe në mbarë vendin kanë qenë gjëja më plotësuese.

Pyetje: Kur kemi diskutuar marrëveshjen e përbashkët mes dy qeverive, ju thatë që, ulja e mundësive të emigracionit të paligjshëm do të sjellë rritje të mundësive të punësimit të ligjshëm, për shqiptarët aty ku Britanis e Madhe ka nevojë, a ka ndodhur kjo realisht?

Ambasadori britanik Alastair King Smith: Siç thatë shifrat kanë rënë me të vërtetë. Të gjithë ishim të shtangur me shifrën prej më shumë se 12.000 shqiptarë që udhëtuan në mënyrë të paligjshme në vitin 2022, por jemi realisht të lumtur që përpjekjet e përbashkëta të qeverisë britanike dhe asaj shqiptare dhe mënyra e tyre e bashkëpunimit, kanë transformuar situatën. Kështu, vjet numri u ul në më pak se 1000 vetë dhe këtë vit është më pak se 150 vetë. Duhet të vijojmë të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të vazhdojmë këto përpjekje. Edhe Qeveria e re e Mbretërisë se Bashkuar është e angazhuar të vijojë në të njëjtën linjë, sepse edhe Task Forca e Përbashkët për Migracionin është model realisht pozitiv. Kryeministri juaj dhe Kryeministrja e Italisë mbledhin disa prej udhëheqësve evropianë në Komunitetin Politik Evropian që organizohet nga Kryeministri ynë, dhe në këtë mbledhje diskutohen shembujt që faktikisht kanë pasur rezultat në trajtimin e emigracionit. Nuk ka shumë shembuj të mirë në këtë fushë, por çka MB-ja dhe Shqipëria kanë arritur të bëjnë është realisht me shumë rëndësi. Vizita e Kryeministrit Rama në mars të vitit 2023 ishte pike reale ndryshimi dhe Komunikata e Përbashkët nuk përcakton vetëm punën që bëjmë për emigracionin, përmes Task Forcës për Emigracionin dhe përmes përpjekjeve tona me agjencitë ligjzbatuese. Por ka të bëjë edhe me investimet në veri. Ka të bëjë me arsimin, me kulturën, edhe me partneritetin në fushën e mbrojtjes, partneritetin në fushën e drejtësisë. Se nëse krijojnë edhe më shumë lidhje ato do të jenë shumë të rëndësishme. Tani ka potencial edhe në fushën e biznesit, apo edhe në turizëm. Gjasat janë që këtë vit të vijnë gati gjysmë milioni turistë britanikë, që është më shumë se dyfish krahasuar me vjet. Kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e partneritetit tonë, së bashku me shqiptarët që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar për të dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm atje.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!