TIRANË-Besimtarët e krishterë kremtojnë Krishtlindjen, një nga festat më të rëndësishme të besimit të tyre. Jezu Krishti për të krishterët është i biri i Perëndisë dhe shpëtimtari i njerëzimit. Krishtlindja simbolizon ditën e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzor.
Besimtarët ortodoksë iu drejtuan herët në mëngjes katedrales “Ngjalla e Krishtit” në Tiranë për të marrë pjesë ne meshën e shenjtë të Krishtlindjes.
Në këtë ditë të rëndësishme të lindjes së Jezu Krishtit besimtarët kryejnë të gjitha ritualet në kishë, ndezin qirinj dhe luten për paqe dhe begati në shtëpitë e tyre.
Krishtlindja dhe simbolika e kësaj dite i bashkon të gjithë.
“Unë jam myslimane, por kam bashkëshortin ortodoks, në shtëpi i kam përgatitur të gjitha për festën”, shprehet një qytetare.
Festa dhe atmosfera e saj gëzon edhe më së shumti të vegjlit. Sipas traditës, besimtarët katolikë iu drejtuan katedrales “Shën Pali” në Tiranë mbrëmjen e 24 dhjetorit për të marrë pjesë në meshën e shenjtë që u udhëhoq nga imzot Arjan Dodaj.
Pas kryerjes së ritualeve në kishë, besimtarët festojnë me njëri-tjetrin rreth tryezës me gatimet tradicionale. Përveç anës shpirtërore, Krishtlindja konsiderohet si një nga festat më të bukura për atmosferën që ajo sjell.
/abcnews.al