Kremlini: Evropa po i kthen shpinën Ukrainës

schedule22:02 - 23 Janar, 2024

schedule 22:02 - 23 Janar, 2024

Kremlini theksoi të martën se evropianët kanë filluar t’i kthejnë shpinën Ukrainës, pasi ndihma e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake për Kievin nxit tensionet e brendshme në BE dhe SHBA.

“Evropianët e dinë mirë se i hodhën paratë e tyre nga dritarja”, tha zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dmitry Peskov për agjencitë ruse të lajmeve. Sipas Peskov, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është “në një pozitë shumë të vështirë” sepse nuk po merr më para dhe nuk ka më predha të mjaftueshme për të luftuar.

Në javët e fundit, Kremlini është përpjekur t’i portretizojë vendet perëndimore si të ndara lidhur me atë se çfarë të bëjnë me Ukrainën pas gati dy vitesh luftë. Moska gjithashtu shfaqet shumë më optimiste pas dështimit të kundërofensivës së Ukrainës verën e kaluar.

Peskov gjithashtu u shfaq i kënaqur për mosmarrëveshjet midis partive politike në SHBA, pasi republikanët bllokuan një ndihmë të madhe financiare të destinuar për Ukrainën.

“Në një moment, Biden tha se ishte një investim për amerikanët për të ofruar ndihmë për Ukrainën. Nëse ne e besojmë këtë (…) atëherë ata janë të falimentuar,” tha zëdhënësi i Kremlinit.

Nga ana e saj, Ukraina ka frikë se ndihma perëndimore do të fillojë të zbehet përpara zgjedhjeve vendimtare të BE-së në qershor dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor. Sipas Institutit Kiel në Gjermani, vendet perëndimore kanë premtuar më shumë se 100 miliardë dollarë për Ukrainën për të mbështetur ekonominë e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!