Kremlini: Do të hakmerremi nëse BE-ja armatos Ukrainën me përfitimet nga asetet tona

schedule13:29 - 21 Mars, 2024

schedule 13:29 - 21 Mars, 2024

Rusia do të ndërmarrë masa hakmarrëse në përputhje me interesat e saj dhe do të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion, nëse Bashkimi Evropian përdor përfitimet nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë për Ukrainën, tha Kremlini më 21 mars.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto deklarata para takimit të liderëve të BE-së në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe për këtë çështje.

“Natyrisht, ne do të përdorim të gjithë mekanizmat e mundshëm ligjorë, ato që i kemi në dispozicion tani, dhe të gjitha ato që do t’i kemi në dispozicion në të ardhmen. Bazuar në parimin e reciprocitetit, ne do të hakmerremi për këtë, por do të zgjedhim metoda të ndryshme në përputhje me interesat tona”, tha ai për gazetarët.

Udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se synojnë të përdorim përfitimet nga asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën, e cila që nga viti 2022 po përballet me pushtimin në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia.

Zyrtarët e Perëndimit po shkojnë drejt konfiskimit të aseteve të ngrira financiare të Rusisë, në vlerë rreth 300-350 miliardë dollarëve, për ta mbështetur Ukrainën.

Pothuajse shumica e gati 210 miliardë eurove të rezervave ruse të bllokuara në BE – para së gjithash obligacionet dhe llojet e tjera të garancive në të cilat kishte investuar Banka Qendrore e Rusisë – po mbahen në depozituesin e quajtur Euroclear në Bruksel./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!