Kreditë për shtëpi/ Banka e Shqipërisë vendos tavan për këstin e kredisë, çfarë parashikon vendimi i ri

schedule17:02 - 7 Maj, 2025

schedule 17:02 - 7 Maj, 2025

TIRANË– Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren dhe vendosu të kufizojë dhënien e kredive, që mund të marrin qytetarët për blerje banesash.

Kjo u bë e ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sajko, i cili u shpreh se maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% e vlerës për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë.

“Vendosëm një tavan për kredinë që do të marrin qytetarët për të blerë shtëpi. Kemi vënë tavan për këstin e kredisë. Maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Është më e ulët për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Ndërsa për shtëpinë e dytë raporti do të jetë kësti i kredisë jo më shumë se 35% e totalit të të ardhurave dhe për kredinë në valutë sa 30% e totalit të të ardhurave”, tha Sejko.

Sakaq, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi po ashtu të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit prej 2.75%.

-të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;

-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;

-të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%

Ai theksoi se rritja Profili i rritjes ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 duket se ka mbetur i ngjashëm me atë të vitit të shkuar.

“Rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit, dhe të ardhurave të turizmit. Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Nga ana tjetër, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, bilanci i shkëmbimit tregtar të mallrave pritet të ketë një kontribut negativ, ndërsa politika fiskale vijon të ruajë trajta konsoliduese. Ky profil kërkese vijon të ushqejë kryesisht zgjerimin e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë.”, tha ai.

Po ashtu ai theksoi se luhatjet e kursit të këmbimit valutor kanë qenë më të vogla gjatë 2025. Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Sejko pohoi se inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

“Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme priten të mbeten të qëndrueshme, si pasojë e rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin”, shtoi ai.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!