Kreditë me probleme, Sejko: Në nivele të ulëta. Do adresojmë problematikat dhe do marrim çdo nismë të nevojshme

schedule17:12 - 7 Gusht, 2024

schedule 17:12 - 7 Gusht, 2024

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (BSH), Gent Sejko thotë se portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, pasi dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës do të adresojnë problematikat që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme.

Sejko shtoi se do merret çdo nismë e nevojshme rregullatore në lidhje me këtë çështje.

“Kredia për sektorin privat ka vijuar të ketë një ecuri pozitive në tremujorin e dytë. Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rritje, duke regjistruar nivelin 14.6% në muajin qershor. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe —nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në lekë, në pasqyrim të nivelit të ulët të normave të interesit. Po ashtu, zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme.

Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!