Drejtori i Shoqatës së Agjensive të Këmbimit Valutor Dritan Vakaj vlerësoi si pozitive rritjen e kreditimit për bizneset, por theksoi se duhet treguar kujdes në përzgjedhjen e sektorëve që vijojnë të financohen.
Vakaj nënvizoi se raporti i kredive mes bizneseve dhe konsumatorëve është i kënaqshëm, ndërsa niveli i kredive me probleme ka arritur një rekord minimal. Ai shtoi se kjo tregon një qasje konservatore të bankave, por paralajmëroi se duhet marrë parasysh edhe aspekti social, veçanërisht nevoja e qytetarëve për kredi për strehim dhe shtëpinë e parë.
Sipas Vakajt, një politikë tepër konservatore mund të kufizojë investimet dhe të krijojë vështirësi të panevojshme për ekonominë.
“Është e kënaqshme rritja e kreditimit për bizneset, por duhet treguar kujdes se cilët sektorë vijojnë të kreditohen. Ndërtimi mbetet një nga elementët më kritikë, ku vihet re një ftohje në vitin 2025. Raporti i kredive mes bizneseve dhe konsumatorëve është i kënaqshëm.
Kemi rekord të nivelit më të ulët të kredive me probleme, gjë që tregon një qasje konservatore, por duhet marrë parasysh edhe aspekti social. Duhet të merren parasysh nevojat që kanë qytetarët për kredi për strehim apo për shtëpinë e parë.
Nga pikëpamja operacionale, biznesi nuk është një tregues pozitiv nëse fondet që qarkullojnë për biznes qëndrojnë për një kohë të gjatë në banka, pasi kjo tregon mungesë qartësie dhe mungesë oportunitetesh për investim. Është për t’u vlerësuar politikat që kanë ndjekur bankat, por edhe një politikë shumë konservatore mund t’i vendosë investitorët në vështirësi të panevojshme.”
/ abcnews.al /

